Autoritetet vendime kontradiktore për 21-vjeçarin nga Laçi

Ka hyrë për të dytën herë në qelinë e burgut Kreshnik Tusha që për të njëjtën ngjarje, herë është konsideruar viktimë e herë është rreshtuar mes atentatorëve nga gjykata. 21-vjeçari u dërgua në spital i plagosur mbrëmjen e 30 Majit, në të njëjtën natë kur në Laç u vranë Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.

Para policëve që e morën në pyetje ai pranoi se ishte qëlluar me armë nga disa persona. Fillimisht prokurorët dyshuan se ai ishte pjesë e grupit që organizoi atentatin dhe gjykata e la në burg. Nuk kaloi shumë dhe versioni i prokurorisë, ndryshoi. Kreshnik Tusha u konsiderua një prej viktimave, që ishte plagosur nga atentatorët dhe ai u lirua.

Por pas verifikimit të dëshmive dhe krahasimit të thënieve të dëshmitarëve, prokurorët ndërruan sërish mendje. Ata kërkuan që Tusha të qëndrojë në qeli, pasi nuk ka treguar më detaje si ndodhi plagosja. Prokurorëve iu janë kthyer dyshimet se Tusha mund të ketë qenë pjesë e grupit që kryen vrasjen.

Për ekzekutimin e dyfishtë në Laç, deri më tani është arrestuar Eduart Lamaj, dhe shoku i tij Ilir Xhepja, si dhe janë në kërkim Elson Aliaj dhe Klaudio Perkolaj. Autorët janë shprehur se shkuan tek Hoteli në Laç për të grabitur dhe jo për të vrarë.

Tv Klan