“Kriza do prekë edhe Shqipërinë, të shihen të gjitha rrugët për financime”

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka miratuar një linjë kredie me interesa të buta me vlerë 174 milion euro për Shqipërinë, e cila do të përdoret për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë në situatën e pandemisë Covid-19.

Disbursimi do të bëhet menjëherë përmes instrumentit të shpejtë të financimit, ndërsa kreu i misionit të FMN-së për Shqipërinë Jan Kees Martijn sqaron në një intervistë me Skype për televizionin Klan se Fondi është i gatshëm për të ndihmuar me programe të tjera financimi.

 “Ky financim emergjent nuk shoqërohet me një program apo kufizime, disbursimi I tij është i menjëhershëm. Ne qëndrojmë të gatshëm për të ndihmuar autoritetet shqiptare gjatë kësaj kohe të vështirë, duke ofruar ekspertizën tonë, asistencë teknike apo programe të tjera financimi , si të jetë e nevojshme.”

FMN thotë se shumë ekonomi, përfshirë dhe Shqipërinë do të përjetojnë rënie të të ardhurave për frymë këtë vit. Vendi ynë do të ndikohet më shumë te sektori i turizmit dhe eksportet, ndërsa situata nga Fondi konsiderohet e paprecedentë për të dhënë një vlerësim të qartë të rritjes ekonomike.

 “Prekja e turizmit, lidhjet tregtare me Italinë, e cila ka qënë shumë e afektuar nga virusi shkaktojnë pasiguri. Në këtë pikë ku jemi ne presim një kontraktim të aktivitetit ekonomik këtë vit dhe një rimëkëmbje në vitin 2021.”

Fondi Monetar e sheh si zgjidhje të mirë rritjen e nivelit të defiçitit në buxhet, për të mos prekur pagat, pensionet dhe rindërtimin në zonat e prekura nga tërmeti. Në kohën kur presionet për marrjen e borxhit janë rritur, sugjeron kërkimin në institucione financiare që ofrojnë interesa të ulta.

 “Duhet të shohin të gjitha rrugët e mundshme për të gjetur financim shtesë. Ne shpresojmë se autoritetet do të jenë në gjendje të mobilizojnë financime dhe nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë.”

Për çështjen e amnistisë së kapitalit Jan Kees Martijn thotë:

“Nëse ka përfitime më të mëdha për ata që nuk kanë paguar taksat se ata që I kanë paguar taksat, kjo do minon disiplinën fiskale. Që sistemi të jetë efektiv, duhet që të krijohen struktura efektive që mbulojnë evazionin fiskal dhe që ndalojnë mundësitë për pastrimin e parave dhe korrupsion.”

Fondi sugjeron që pas përfundimit të pandemisë të vazhdojë ku është e mundur puna në luftën kundër informalitetit dhe reforma e fiskalizimit.

Tv Klan