Më 11 Shkurt, emisioni “Stop” transmetoi problemin e Këshillit Bashkiak të Skraparit, që për probleme të brendshme la qytetin pa kopshte e çerdhe dhe pa pastrim. Dhe ajo që Stop paralajmëroi ndodhi. Në një deklaratë për mediat, Kryetari i Bashkisë së Skraparit njoftoi mbylljen e të gjitha këtyre institucioneve si pasojë e miratimit të buxhetit.

“Me keqardhje ju njoftojmë që sot Bashkia Skrapar mbylli disa shërbime, si çerdhe, konviktin e nxënësve, aq më keq, qendrën e fëmijëve me aftësi ndryshe, shërbimin e pastrimit dhe gjithë shërbimet që kanë lidhje me bllokimin e veprimtarisë financiare e degës së thesarit. Teatri i dirigjuar nga deputeti i rilindjes Arbnor Shameti, për bllokimin e buxhetit, për të shkaktuar sa më shumë varfëri, se ashtu merret më kollaj vota, po le pa shërbime njerëzit hallexhinj, mbylli çerdhe, konviktin e nxënësve të qytetit, qendrën e fëmijëve me aftësi ndryshe, etj. Por ky teatër me bllokimin e buxhetit do t’i kthehet mbrapsht, pasi drejtësia vonon, por nuk harron. Të ndodhur në këto kushte, Skrapari rrezikon të kthehet qëllimisht në qytet, ku sipas planit të socialistëve, njerëzit duhet të largohen nga ky vend. Ta braktisin atë se kështu e dashka rilindja: të varfër, pa kopshte, pa çerdhe e shkolla, pa shërbime etj. I bëj thirrje Ministres së Financave të ndalojë njëherë e më parë këtë akt kriminal të bllokimit të buxhetit, të marrë përgjegjësitë e saj ligjore, për urdhra të pa precedentë që dalin nga Ministria e saj…”

Nga ana tjetër kreu i Këshillit Bashkiak, Partizan Gorçe rezulton me diplomë të falsifikuar të shkollës së mesme. Pas investigimit që emisioni “Stop” bëri në lidhje me Gorçen, Zyra Arsimore e Skraparit konfirmoi se numri i amzës dhe shkolla e mesme është e falsifikuar.

“Mbështetur në amzën me numër 2 të shkollës së mesme të bashkuar “Arshin Rako, Potom, zoti Partizan Gorçe ekziston i regjistruar në numër amze 486 në vitet: 1990-1991 përfundon vitin e tretë; 1991-1992 përfundon vitin e katërt. Për këto dy vitet e përfunduara nuk janë shënuar karakteristikat mbi formimin e gjithanshëm dhe sjelljen e nxënësit.”

“Të dhënat për faqen e amzës, faqja është me këto probleme: 1-Faqja e amzës është e korrigjuar me korrektor dhe mbi korrigjimin janë shkuar të dhënat e zotit Partizan Gorçe.

2-Për vitin e parë ka të dhëna për lëndë të ndryshme, por mbi këto të dhëna janë hequr viza dhe është shënimi; larguar nga shkolla.  3-Shënimet mbi faqen e amzës janë bërë nga ish0sekretarja dhe firmosur nga ish-drejtori i shkollës.

4-tek pjesa shënime: Ekziston ky shënim “Ky numër amze i përket Partizan Gorçe, regjistruar në vitin shkollor  1990-1991.

5-Mbështetur në regjistrin e veçantë të shkollës së mesme të bashkuar “Arshin Rako”, Potom, ekziston i regjistruar me numër 425″.  

Në një bisedë telefonike me gazetarin e Stop, vetë Partizan Gorçe tha:

“Nëse ke të dhëna, ti shikoi, merri në regjistër, kontrolloi, verifikoi. Unë nuk e di të jetë e falsifikuar”.

Ju e keni bërë vërtetë shkollën e mesme në Potom?

“Po”.

Nga studio e Stop, Saimir Kodra iu drejtua Gorçes me këto fjalë:

“Partizan, ç’të të them, sa më shumë ngjitet majmuni mbi pemë, aq më shumë i duket b*tha, thonë afrikanët”.

“Kryesisht, ti sot ke një deftesë së shkollës së mesme në shkelje të rëndë me ligjet e këtij shteti. Prokuroria e Beratit duhet të fillojë hetimin. Sigurisht që unë jam i sigurt, sepse prokuroria, prefekti, janë tashmë të PS-së dhe ti je bir besnik i kësaj partie, përderisa e gjymtove qytetin e Skraparit, por nuk do të mënojë dita që do të vihet drejtësi për të gjitha këto falsifikime që ke bërë ti”,

tha Kodra më tej.

/tvklan.al