Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri është kërcënuar me vdekje. Kërcënimi ndaj Bahtirit, siç njofton Komuna e Mitrovicës, është bërë përmes një letre që i është dërguar atij.

Në letrën e shkruar në gjuhën angleze, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri kërcënohet me vdekje për shkak të angazhimit dhe insistimit të tij të vazhdueshëm për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër”

, thuhet në kumtesë.

Kërcënuesit thuhet se kërkojnë nga Bahtiri që të mos ndërmarrë asnjë veprim për hapjen e kësaj ure, edhe pse projekti i BE-së për rivitalizimin e saj ka përfunduar në tërësi.

Për rastin e kërcënimit të kryetarit Bahtiri është njoftuar Policia e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse, të cilat janë duke u marrë me këtë çështje.

Sipas Bahtirit, kërcënimet e këtilla dhe asgjë tjetër, nuk mund të ndalin në asnjë mënyrë angazhimin dhe përkushtimin e tij për paqe, tolerancë dhe për stabilizimin e plotë të gjendjes në Mitrovicë, që nënkupton edhe hapjen sa më të shpejt të urës kryesore mbi lumin Ibër për lëvizje e qarkullim të lirë të njerëzve dhe automjeteve në të dyja drejtimet të qytetit.

Bahtiri kërkon nga qytetarët që të mos dekurajohen nga ky veprim qyqar i individëve apo grupeve kriminale që nuk duan përmirësim të gjendjes në qytetin e Mitrovicës e as përmirësim të raporteve ndëretnike e të bashkëpunimit midis qytetarëve të të dyja komunave.

“Unë kërkoj nga qytetarët e Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë  e tyre etnike, që të jenë të qetë e të përkushtuar për të çuar përpara proceset e stabilizimit të plotë të  situatës politike e të sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik në qytetin e Mitrovicës”, ka thënë ai./

klankosova