Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, nga Korça ka kërkuar nga palët politike që të ulen dhe të bëjnë një Reformë të re Zgjedhore.

Në një prononcim për mediat, Celibashi është shprehur se ODIHR ka bërë sugjerime konkrete që duhen bërë në Kodin Zgjedhor. Sipas tij ndryshimet duhet bërë sa më shpejt dhe jo të lihen për muajt e fundit para zgjedhjeve të ardhshme.

“Këtë herë ka nevojë për të kryer një Reformë Zgjedhore sepse edhe ODIHR sugjeron ndryshime në Kodin Zgjedhor, por është e rëndësishme që kjo gjë të fillojë tani dhe është gjë e mirë që opozita e ka ndërmarrë këtë iniciativë  pozitive dhe që shumica qeverisëse e ka mbështetur dhe kjo është pozitive. Shpresojmë që procesi të finalizohet sa më shpejt dhe të mos jemi në pozitën e herëve të tjera kur reformat zgjedhore kanë përfunduar 4,5,6 apo qoftë edhe 1 vit para zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Ndërkohë lidhur me procesin e verifikimit të rezultateve pas rinumërimit të votave, kreu i KQZ tha se kur të identifikohen shkelje të rënda të bëra nga komisionerët do të ketë dhe ndëshkime për ta.

Jemi në proces vlerësimi akoma të asaj se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të numërimit të fletëve të votimit, në përfundim të këtij procesi në rastet kur do të identifikohen qartazi shkelje të rënda të rregullave të procesit për numërimin e fletëve të votimit normalisht që do të ketë sanksione të karakterit administrativ por edhe kallëzime penale kur këto shkelje tregojnë dukshëm deformimin e rezultatit të numërimit”, tha Celibashi.

Për sa i përket idesë për një Reformë të re Territoriale, Ilirian Celibashi u shpreh se kjo gjë i takon politikës dhe jo KQZ-së./tvklan.al