“Përfaqësuesit e partive politike të mos shqetësojnë komisionerët dhe operatorët”

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u ka bërë thirrje komisionerëve dhe operatorëve të qendrave të votimit që të mos ndalojnë punën e identifikimit elektronik në rastet kur printeri i pajisjes nuk funksionon.

Në një konferencë shtypi, Celibashi u shpreh se procesi i identifikimit elektronik në këtë rast duhet të vijojë dhe të mos bllokohet pajisja, edhe nëse printeri ka probleme.

“Janë 142 qendra votimi nga 5199 në të cilat procesi i identifikimit po bëhet manualisht. Për rreth 120 qendra votimi kjo për faktin se operatorët nuk u paraqitën në vendin e votimit dhe në 40 nuk arritëm që të gjenim operatorët. Kemi patur disa probleme të karakterit teknik. Ka patur disa probleme më së shumti për shkak të nivelit të ulët të dijeve të marra nga operatorët por ka patur dhe probeme të pajisjes që më së shumti lidhen me printimin. Edhe në rastet kur pajisja nuk printon në mënyrë korrekte kuponin që tregon pamjen e votuesit, procesi i identifikimit elektronik duhet të vazhdojë dhe pajisja të vazhdojë të përdoret. Nuk ka asnjë arsye për faktin që printeri nuk punon të mos përdoret as pajisja”.

Në ato qendra votimi ku identifikimi është bërë manualisht që në fillim, nuk rekomandohet përdorimi i pajisjes në orët në vijim.

“Nëse pajisja nuk funksionon dhe nuk zëvendësohet duhet të kalojnë në identifikimin manual. Në ato qendra ku procesi i identifikimit ka filluar manualisht, duhet të vazhdojë manualisht”.

Që në orët e para të ditës ka patur rreth 5700 telefonata nga qendrat e votimit në adresë të KQZ për probleme me pajisjen elektronike dhe një pjesë e tyre kanë marrë zgjidhje, tha Celibashi. Ky i fundit u bëri thirrje edhe komisionerëve që të mos braktisin vendin e punës, kurse anëtarët e partive të respektojnë përgjegjësitë që kanë.

“Anëtarët e partive të respektojnë përgjegjësitë e tyre, nuk ka arsye që edhe probleme të vogla t’i kategorizojnë si të natyrës politike. Kushdo komisioner apo operator do t’i bëjë bisht largimit nga detyra do të këtë pëgjegjësi penale. Përfaqësuesit e partive politike t’i lënë të qetë të bëjnë punën e tyre”. /tvklan.al