Sali Berisha ka kërkuar nisjen e aksionit dhe sulmin për mosbindjen civile pas vendimit politik, sipas tij, të gjykatës për Ervin Salianjin. Ai tha në Këshillin Kombëtar se duhet rezistencë pa kthim deri në fitore.

“Edi Rama ka instrumente për të na burgosur, ka instrumente për të mashtruar, por ne kemi instrumente që me guximin tonë, me revoltën tonë, e paralizojmë anekënd vend këtë narkoqeveri kriminale, armike e egër e lirive, e të drejtave, e dinjitetit, e qenies së shqiptarëve. Dhe sot është koha që të përdorim të gjitha këto instrumente. Të hidhemi në sulm me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Këto instrumente nuk janë 600 mijë shqiptarë që na kanë votuar zgjedhjet e fundit, jo, mjaftojnë vetëm disa mijëra prej tyre që sot janë gati në këmbë për rezistencë të qëndrueshme, pa kthim, deri në fitore, por presin udhëheqjen tuaj, frymëzimin tuaj, orientimin tuaj, organizimin tuaj, mobilizimin tuaj.

Ndaj dhe kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës. Për përgjigjen tonë me datën 7 Tetor. O sot o kurrë, pa kthim, të paralizohet qeveria gjer në vendosjen e qeverisë teknike. Është radha jonë dhe ne do i qëndrojmë. Vetëm kështu Shqipëria rikthehet në rrugën e ligjit, Kushtetutës. Vetëm kështu ndalohet rrokullisja e saj dhe shoqërisë sonë drejt abiseve të historisë”, tha mes të tjerash Berisha.

Klan News