Kreu i PE: Tirana dhe Shkupi realizuan reformat

Kreu i PE: Tirana dhe Shkupi realizuan reformat

15:36 30/10/2019

“Meritojnë të shpërblehen për progresin e bërë”

Pas refuzimit nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kryeparlamentari europian, David Sassoli do të vizitojë dy vendet. Takimet i nis me Shkupin, javën e ardhshme më 4 dhe 5 nëntor, ndërsa Tiranën, Sassoli do t’a vizitojë një muaj më pas, më 2 dhe 3 dhjetor.

Në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga PE, ku vlerëson reformat e ndërmarra nga Tirana dhe Shkupi, Sassoli e konsideron të padrejtë, refuzimin e vendeve të unionit për hapjen e negociatave.

David Sassoli, Presidenti PE: Vizita në Maqedoninë e Veriut dhe shumë shpejt në Shqipëri, ka një rëndësi më të lartë për mua personalisht, në këtë moment. Ne e dimë që popullsia në të dy vendet është zhgënjyer shumë nga dështimi i Këshillit, për të rënë dakord për hapjen e bisedimeve të pranimit, për shkak të vetos së disa shteteve anëtare. Ne e kuptojmë dhe e ndajmë këtë zhgënjim. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reformat, që ne kërkuam prej tyre dhe tani meritojnë të shpërblehen, për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme.

Kreu i Parlamentit Europian, po ashtu u bën thirrje Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të mos dekurajohen, por të vijojnë rrugën e tyre të reformave, të cilat sipas tij janë mbi të gjitha në interes të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, si dhe për brezin e ri që meriton një të ardhme më të mirë.

TV Klan


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi