Puna një vjeçare e Prokurorisë së Posaçme u paraqit para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga kreu i saj, Arben Kraja. Ai dekaroi se një nga vështirësitë e hasura gjatë këtij viti të parë është shitja e pasurive të sekuestruara.

“Një pjesë e mirë e këtij fondi të konfiskuar të përdorej për nevojat e forcave të zbatimit të ligjit. Prokuroria e Posaçme mori 30%, Policia e Shtetit ka marrë rreth 70% të këtij fondi. Ka problematika padiskutim, sepse janë prona që mund t’i kenë pasur personazhe të botës së krimit, nuk është kollaj t’i nxjerrësh në shitje apo të marrësh të ardhura prej tyre”, është shprehur Arben Kraja.

Shefi i Seksionit të Krimit të Organizuar dhe njëherazi zëvendësdrejtuesi i SPAK, Altin Dumani, kërkoi që të plotësohet organi i akuzës me 20 prokurorë, për shkak të ngarkesës.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, tha se vitin e ardhshëm do të vlerësohet puna e secilit prokuror të SPAK.

“Këshilli i Lartë i prokurorisë për herë të parë do të bëjë vlerësimin profesional të prokurorëve të SPAK. Sot në SPAK punojnë 13 prokurorë, në vitin 2022 të gjithë do të dinë falë punës së Këshillit se cili prej tyre ka performuar më mirë dhe cili më pak mirë”, është shprehur Gent Ibrahimi.

Para KLP drejtuesi i SPAK ka thënë ndër të tjera se së bashku me BKH kanë akses në të gjitha sistemet e të dhënave personale të qytetarëve. Po ashtu tashmë Prokuroria e Posaçme ka edhe laboratorin për kryerjen e ekspertizave të një sërë provave që mund t’i shërbejnë hetimit.

Klan News