Imazhet dixhitale të individëve që nuk ekzistojnë, në dukje reale, po shiten në internet në sasi të mëdha, me mijëra. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell i hedh një vështrim këtij fenomeni dhe problemeve që mund të krijojë.

Këto fytyra, të krijuara nga inteligjenca artificiale, janë produkt i Generated.Photos, një kompani që shet fytyra njerëzish, të cilat përdoren nga kompanitë e video-lojrave për të krijuar personazhe më realiste dhe biznese të tjera që kërkojnë koleksione imazhesh.

“Programi ynë ka aftësinë të mësojë se si të krijojë imazhe që u ngjajnë njerëzve, e di se ku duhet të vendoset hunda, sa sy kanë njerëzit dhe modelin e flokëve. Bazuar në këtë njohuri, programi pastaj mund të krijojë në mënyrë të pavarur portretet”, thotë Ivan Braun, themelues i kompanisë Generated.Photos.

Kompania e zotit Braun ka sinkronizuar mijëra fotografi reale të njerëzve me programin e disponueshëm për publikun të kompanisë së grafikave kompjuterike, Nvidia për të krijuar një bazë të të dhënave me më shumë se 2.5 milionë fytyra të krijuara me teknologjinë e inteligjencës artificiale.

Ivan Braun thotë se qëllimi i tij fillestar ishte thjesht ulja e kostos së punës nga punësimi i fotografëve, modeleve, parukierëve, një aspiratë mjaft e thjeshtë.

Por në mungesë të rregulloreve mbi këtë praktikë, fytyrat e sajuara kanë filluar të bëhen një burim i lehtë mashtrimi.

Ka shenja në disa imazhe që tregojnë se ato janë fytyra të krijuara nga kompjuteri, njolla të çuditshme, vathë që nuk kombinojnë ose hije afër vijës së flokëve.

Por profesori i Universitetit të Kalifornisë në Berkley, Hany Farid, ekspert në zbulimin e imazheve të rreme, thotë se mënyra më e mirë për të shmangur përpjekjet e mashtrimit është të jesh i vetëdijshëm për klikimet që bën në internet.

“Ekziston një virus dhe ekziston një sëmundje e dezinformimit. Por ju jeni pjesë e problemit. Ju mund ta përhapni atë kur ju pëlqeni, ndani dhe ripostoni një gjë të tillë pa u menduar mirë. Ju jeni bartës i kësaj epidemie”, thotë ai.

Zoti Braun është i vetëdijshëm që imazhet e tij mund të përdoren për të mashtruar njerëzit.

Kështu që kompania e tij po ndan të dhënat e saj me disa kompani të mediave sociale për t’i ndihmuar ata t’i diktojnë rastet kur përdoren imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale.

Aplikimi i tyre i më i ri quhet anonimizuesi. Aty ju mund të ngarkoni një fotografi tuajën dhe programi pastaj nxjerr një larmi fytyrash me ndryshime të vogla nga fortografia juaj, duke e bërë më të vështirë deshifrimin e një fotografie reale nga një imazh i krijuar nga inteligjenca artificiale./VOA