Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar të mërkurën pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Ne përgëzojmë prokurorët dhe gjykatësit që morën pjesë në votim për kurajon e tyre dhe që zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë. Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës në drejtësi të Shqipërisë, e cila zëvendëson një sistem të prishur me një sistem me integritet, i cili përmbush dhe u shërben nevojave të qytetarëve shqiptarë

”, tha Ambasada Amerikane në Tiranë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy shtyllat e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor. Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të mundësojë tani krijimin e Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, si edhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm. Këto institucione të drejtësisë janë të gjithë gurë të rëndësishëm në ndërtimin e shtëpisë së drejtësisë. Aktorët kombëtarë duhet tani të konsolidojnë këtë përparim të reformës në drejtësi, përfshirë edhe nëpërmjet rekrutimit dhe emërimit të magjistratëve të rinj, gjë që është vendimtare për funksionimin e gjyqësorit. Një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është kritik për të sjellë për popullin shqiptar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara thonë se mbeten plotësisht të angazhuara në mbështetjen e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor, i cili sjell drejtësinë për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri përshëndeti ngritjen e këtyre dy institucioneve.

“Mirëpresim ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor – dy institucione themelore për një sistem drejtësie plotësisht funksional, të pavarur, profesional dhe të besueshëm. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë të mbështesë reformën në drejtësi, e cila do të mund të quhet e përfunduar vetëm atëherë kur të ndihet nga qytetarët shqiptarë, në jetën e tyre të përditshme, në mbarë vendin”,

thuhet në një deklaratë të publikuar nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri

.

Shefat e Misioneve të BE-së në Shqipëri po ashtu kanë mirëpritur krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas zgjedhjes së anëtarëve magjistratë më 11 dhe 12 Dhjetor.

Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës së drejtësisë në Shqipëri. Kjo konfirmon pakthyeshmërinë e reformës dhe suksesin e procesit të vetingut, si një bazë e domosdoshme për krijimin e të gjitha institucioneve të reja gjyqësore.

Ata gjithashtu ritheksojnë rëndësinë e një gjyqësori të fortë dhe të pavarur për të dhënë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. /tvklan.al