LDK mbledh kryesinë

Presidenti Hashim Thaçi ka lënë të nënkuptohet se këtë javë mund të veprojë për formimin e një qeverie të re. Por kryeministri në detyrë Albin Kurti i cili insiston për zgjedhje të jashtëzakonshme pas përfundimit të situatës me pandeminë e koronavirusit tha se presidenti nuk është i kënaqur me kompetencat e tij.

“Presidenti është noter shtetëror, e cila nuk është një nga shtyllat e shtetit. Është e qartë se presidenti nuk është i kënaqur me kompetencat e tij. Është dashur ta mendoj. Ne jemi duke punuar në luftimin e koronavirusit”, tha Kurti.

Për të biseduar për çështjen e formimit të qeverisë, në rast se nuk e shfrytëzon atë të drejtë Kurti, sot është mbledhur kryesia e ngushtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në të nuk është ftuar nënkryetarja Vjosa Osmani.

“Jam tërësisht e painformuar, sapo dëgjova se qenka edhe një takim tjetër sot lidhur me këto përpjekje në të cilin unë nuk jam ftuar, por kjo nuk është një gjë e re”, tha ajo.

Ndryshe gjatë ditës kryeministri në detyrë ka takuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe partitë politike për të biseduar për luftimin e përhapjes së koronavirusit. Këtë takim e kanë bojkotuar LDK-ja dhe AAK-ja.

Tv Klan