Konkursi “Wanderlust in Albania” rezultoi një sukses në edicionin e tij të parë duke promovuar Shqipërinë turistike përmes syrit të udhëtarëve që e kanë parë nga një tjetër këndvështrim. Edhe këtë vit, Agjencia Kombëtare e Turizmit ka vijuar me zhvillimin e tij i cili do të kulmojë me ceremoninë më 24 prill. Aplikantë nga 36 shtete kanë paraqitur fotot dhe videot e tyre Reels që promovojnë Shqipërinë përmes krijimtarisë.
Me shumë entuziazëm, Zana Çela prezanton në programin “Rudina” në Tv Klan risinë e këtij viti, një kategori të re që ndërthur artin dixhital dhe animacionin.
Zana Çela: Këtë vit, ashtut si vjet janë 11 kategori, por e reja është që përveç kategorive ekzistuese siç kanë qenë kategoria e fotove panoramike, të siteve arkeologjike, foto të eksplorimit të natyrës etj, tashmë është shtuar edhe kategoria 3D që quhet CGI, një kategori e re që sidomos të rinjtë e përdorin që kombinon shumë mirë krijimtarinë e artit dixhital me animacionin për të na e shprehur në një mënyrë tjetër tashmë. Shtohet edhe kjo kategori e re, ashtu siç shtohen variantet krijuese të artit dixhital.
Deri më tani janë dorëzuar mbi 4000 foto dhe 400 video Reels të cilat do të përzgjidhen nga një juri profesionistësh brenda një jave. Në ceremoni do të kurorëzohen fituesit e kategorive si dhe do të dorëzohen 4 çmime të veçanta.
Zana Çela: Do të jetë një event shumë elegant në Pallatin e Brigadave më 24 prill ku ne do të shpallim, janë shumë çmime, ku përveç fituesit në çdo kategori, shpallen edhe 4 fitues të cilët kanë një vlerë akoma edhe më të madhe edhe në sasi, edhe në cilësi dhe ata quhen 4 ambasadorët e Shqipërisë.
Çmimet përkojnë edhe me një vlerë monetare rreth 300 euro, por sigurisht që kjo është thjesht një shumë simbolike pasi më i rëndësishëm është kontributi i tyre në promovimin e Shqipërisë turistike./tvklan.al