Lulzim Basha ka arritur që të mbyllë marrëveshjen me aleatët e tij për koalicionin në zgjedhjet e 25 Prillit. Në marrëveshjen e firmosur nga të gjitha palët thuhet se këto parti janë bashkuar për të sjellë ndryshimin në vend dhe përgjegjës për dështimin deri më tani të Shqipërisë konsiderohet kryeministri Edi Rama.

“Ne po ndajmë të njëjtat vlera e parime në veprimtarinë e përgjithshme politike, si edhe në vizionin për qeverisjen e vendit. Dëshirojmë të koordinojmë angazhimet dhe kontributin për fitoren e përbashkët politike”, thuhet në marrëveshje.

Mes palëve është vendosur koalicioni të quhet “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”. Partia udhëheqëse dhe sigla e koalicionit do të jetë Partia Demokratike. Lulzim Basha, është autorizuar që të paraqesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit dhe kandidatëve deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Nga ana tjetër, Ivi Kaso, sekretari i PD-së për çështjet zgjedhore, është autorizuar që të bëjë veprimet përkatëse për regjistrimin e koalicionit në KQZ, të përfaqësojë atë gjatë renditjes së subjekteve zgjedhore në fletën e votimeve dhe të caktojë vëzhguesit e Koalicionit në KZAZ-të, KQV-të dhe VNV-të, në të gjithë vendin.

Termat konkrete të bashkëpunimit brenda koalicionit do të përcaktohen nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe të partive politike në përbërje të tij.

“Numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti brenda koalicionit do të specifikohet në momentin e depozitimit të listës shumëemërore të kandidatëve të koalicionit, sipas modelit të përcaktuar në aneksin e Udhëzimit nr. 1 dt. 23.12.2020 të KQZ”.

Në listën shumëemërore të koalicionit zgjedhor do të përfshihen, për çdo parti të koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre, bazuar në peshën elektorale që rezulton për secilën parti. Kandidatët në listat shumëemërore të koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin, do të konsiderohen dhe vlerësohen si kandidatë vetëm të koalicionit, duke shmangur trajtimin e tyre sipas përkatësive partiake.

Lulzim Basha arriti të mbyllë marrëveshjen këtë të mërkurë me Fatmir Mediun e PR-së, Agron Dukën e agraro-ambientalistëve, Shehin e LZHK-së, Dulen e PBDNJ-së dhe Shpëtim Idrizin e PDIU-së. Ndërkohë marrëveshja është mbyllur edhe me LSI-në, ku pritet që të garojnë si koalicion vetëm në disa qarqe. Surpriza e këtyre negociatave ishte rikthimi në selinë blu i ish-Presidentit Bamir Topi./tvklan.al