Edhe Apple krijon maskën e saj

Modeli Mask Pro Concept, skicimet e së cilit tani mund të gjenden edhe në internet, është maska që Apple ka dizajnuar kundër koronavirusit.

Me emrat Apple Face Mask dhe Apple Clear Mask, kjo maskë është krijuar vetëm për nevojat e kompanisë dhe nuk do të shitet në dyqanet e Apple. Si maskë nuk ka ndonjë karakteristikë ndryshe nga maskat e tjera veçse mendohet se do të jetë më e lehtë dhe më e rehatshme për t’u përdorur.

Nga ana tjetër, duke marrë parasysh se në shumë vende tani është i detyrueshëm përdorimi i maskës, ka pasur zhvillime të rëndësishme në prodhimin e tyre.

E dimë që qëllimi kryesor i mbajtjes së maskës është parandalimi i infektimit, por maskat e reja qe do dalin në treg janë shumë më ndryshe nga ato që njohim dhe me një efikasitet shumë më të lartë.

Maskat e reja, të prodhuara nga SHBA-ja në partneritet me Japoninë do të jenë ​​më të veçanta dhe do të quhen UVMask. Arsyeja është se këto maska do të bëjnë pastrimin e grimcave të ajrit shumë më shpejtë duke përdorur dritë ultraviolet. Kjo i bën më të mira dhe më efektive se sa maskat e rekomanduara N95.

Maska e re do të përbëhet nga dy shtresa, e para do të pastrojë 95% të grimcave kurse shtresa e dytë UV-C do të filtrojë 99.99% të grimcave. Kjo do të thotë që arrin të filtrojë grimcat me madhësi 0,1 mikron që është shumë më efektive në raport me 0,3 mikronë që mund të pastrojë maska N95.

Drita ultravioletë e maskës funksionon falë baterisë që ka brenda, e cila ka qëndrueshmëri deri në 6 orë dhe mund të ngarkohet shumë shpejt duke përdorur një hyrje të tipit USB-C që gjendet në shumë pajisje tjera të njohura.

Filtrat brenda maskës mund të ndërrohen dhe do të kushtojnë rreth 2 Dollarë në muaj. Produkti, i cili akoma nuk është prodhuar në seri, pas daljes në treg do të ketë një vlerë prej 99 dollarësh./tvklan.al