Studiuesit britanikë thonë se ai përdoret vetëm për të zbuluar nëse virusi është ngjitës

Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar thonë se kanë krijuar një test të ri më të ndjeshëm PCR për Covid-19. Në ndryshim nga testet aktuale PCR, testi i ri rezulton pozitiv vetëm nëse virusi vazhdon të jetë ngjitës. Ky zhvillim vjen një ditë pas njoftimit të qeverisë britanike për reduktimin në 5 ditë të izolimit për shkak të infektimit me Covid.

Shkencëtarët në Universitetin Exeter përshtatën testin ekzistues dhe e aplikuan atë në mostrat e marra nga 176 pacientë të shtruar në spital, për të zbuluar nëse virusi ishte potencialisht ende aktiv.

Testet PCR, me të cilat jemi familjarizuar gjatë pandemisë, zbulojnë materialin gjenetik nga një organizëm specifik, siç është koronavirusi. Problemi është se testi jo vetëm që zbulon praninë e një virusi nëse jemi të sëmurë me Covid-19 apo nëse jemi infektues në atë periudhë, por ai gjithashtu mund të zbulojë fragmente të virusit edhe pasi nuk jemi më infektues.

Lorna Harries, profesoreshë e Gjenetikës Molekulare, në Universitetin e Shkollës Mjekësore Exeter, beson se testi i prodhuar nga ky universitet mund të përdoret si një mjet diagnostikues për të mbrojtur njerëzit më të prekshëm.

Nga ana tjetër profesor Laurence Young, nëndrejtor i Shkollës Mjekësore në Universitetin Warwick beson se nuk ka nevojë të ofrohen teste të reja PCR, për popullatën e përgjithshme.

“Mendoj se testet aktuale janë të mjaftueshme. Ky test është i dobishëm në përpjekjen për të dalluar kopjimin (e virusit) pra që të jemi në gjendje të kuptojmë më mirë se për sa kohë njerëzit janë infektues”.

Në Britaninë e Madhe ka patur kundërshti rreth kohëzgjatjes që u kërkohej njerëzve të vetëizoloheshin pas infektimit me Covid-19, kryesisht nga bizneset, që janë ankuar për mungesë personeli, shkaktuar pjesërisht nga njerëzit e detyruar të karantinohen.

Klan News