Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, është folur për degradimin e gjuhës shqipe brez pas brezi, sidomos tek të rinjtë me komunikimet online. Të ftuar kanë qenë Leonard Bonduri autor i autokorrektorit të parë të gjuhës shqipe dhe Zefina Hasani, autore programesh dhe gazetare. Leonardi ka krijuar autokorrektorin e parë në gjuhën shqipe që ndihmon në shkrimin saktë dhe korrekt dhe ka treguar më shumë rreth kësaj pune intensive që ka bërë ndër vite dhe si do funksionojë.

Mirela Milori: Në punë që të ka marrë shumë kohë, sa vite?

Leonard Bonduri: Ka nisur në 2013, fillimisht ka nisur me shumë lehtësi, si hobi, por gjatë rrugës ka qenë një mision goxha i vështirë.

Mirela Milori: Pse?

Leonard Bonduri: Nga egoizmi besoj, më duhej vetë për punët e mia, kryesisht punime shkencore, ne na i kërkojnë sipas standardit dhe ngaqë më duhej vetë mendova ta nisja me bashkëpunëtorë, nuk i gjeta dhe vazhdova vetë.

Mirela Milori: Nëse dikush e ble autokorretorin tënd, e shkarkon në kompjuter.

Leonard Bonduri: Nuk e shkarkon në kompjuter, është aplikacion online, por ne jemi duke punuar që në farë forme e cila quhet shtojcë për Wordin që t’i duhet të jesh i lidhur me internetin dhe pastaj mund ta punosh dokumentin në Word. 45-50 ditët e para unë e kam lënë falas. Nëse regjistrohesh mund të punosh për 45 ditë, më pas nëse dëshiron ta blesh dhe je një përdorues individ dhe jo kompani, mund ta blesh me një çmim diku tek 4.99 Euro, por nëse të duhet të bësh korrigjim të përditshëm 1-2 faqe në ditë  është falas.

Leonardi tregon se mund ta kopjoje tekstin që ka në Word, ta hedhë në autokorrekt dhe gjenden të gjitha gabimet, ose ndryshe mund të shkruash edhe tekstin brenda autokorrektuesit ndodh e njëjta gjë.  

Mirela Milori: Ke pasur momente që ke dashur ta lesh fare?

Leonard Bonduri: Ka pasur kryesisht për shkak të problemeve teknike. Ajo që donim ne të realizonim kishte nevojë për inteligjencë artificiale, disa elemente të realizimit të saj ka pasur nevojë për një informaticien dhe nuk kishte njerëz që ta merrnin përsipër. Nga aspekti teknik kemi pasur hapësira pauze për të gjetur njerëzit e duhur, ka dhe njerëz që jetojnë në Amerikë që kanë punuar për këtë projekt me shumë dashamirësi, me kosto shumë të reduktuara, thjesht për shkak të idesë. Ata janë shqiptarë por që jetojnë dhe punojnë atje. Kam gjetur shumë aleatë, individë për fat të mirë që na kanë ndihmuar shumë. Për ta gjetur këtë faqe në internet mjafton të kërkoni “Shkruaj shqip.al”.

Mirela Milori: Është një ide shumë e mirë, kam idenë që shumë shpejt do jetë pjesë e institucioneve, e zyrave të shtyp dhe e të gjithë njerëzve që iu duhet të shkruajnë.

Leonard Bonduri: Jam skeptik sepse unë kam bërë disa takime. Në Kosovë kam hasur reagime shumë të mira edhe në Maqedoni kam pasur kontakte, por në Shqipëri jo. /tvklan.al