Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Calino në San Martino të Italisë, ku një 55-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Shkelqim Bedeli, ka vrarë gruan e tij 54 vjeçe, Shegushe Paeshti, dhe më pas ka vrarë edhe veten.

Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tyre dy katëshe, ku çifti ndodhej vetëm pasi fëmijët e tyre ishin nisur me pushime.

Para se të vriste veten Shkelqim Bedeli ka lënë dy letra të shkruara në kompjuter, ku në njërën prej tyre i drejtohej fëmijëve dhe në tjetrën autoriteteve. 

Ai shpjegon se çifti kishte mosmarrëveshje të pariparueshme dhe për të, mënyra e vetme për t’i dhënë fund situatës ishte vdekja. Në letër ka treguar se ai nuk duronte dot sepse stresi dhe xhelozia e kishte detyruar atë të ndërmerrte një veprim të tillë. 

Ai besonte se gruaja e kishte tradhtuar dhe kishte lidhje jashtëmartesore. Autopsia do të përcaktojë me saktësi momentin në të cilin burri mbyti gruan, në shkallët e shtëpisë dhe momentin në të cilin ai vrau veten pasi mund të kenë kaluar disa ditë.

Ishin fëmijët e tyre ata që u merakosën sepse nuk po kontaktonin prej disa ditësh me prindërit, kështu njoftuan autoritetetet.

Shkelqim u gjet i varur tek kangjellat e shkallëve, ndërsa gruaja ishte e shtrirë dhe e pajetë mbi shkallë e lidhur me kangjellat. Sipas hetimeve mendohet se burri së pari mbyti gruan e më pas e lidhi atë me kangjellat dhe më pas i dha fund jetës së tij.

Fqinjët tregojnë se ata ishin grindur shumë në gjuhën shqipe dhe nuk kuptonin se çfarë thoshin. Sidoqoftë, askush nuk dyshoi se kishin probleme serioze dhe aq më pak që burri mund të kishte shenja të çekuilibrit.

Zonja ishte e punësuar në një kompani në Erbusco. Burri i saj punonte si farkëtar. Për të dy u folën fjalë shumë të mirë nga kolegët dhe fqinjët e Calino, ku ata kishin jetuar për rreth 15 vjet./tvklan.al