Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në Belgjikë. Mediat belge raportojnë se viktima është  Xhuljeta Lala, 33 vjeçe. Policia ka arrestuar të dyshuarin për këtë ngjarje, i cili ka pranuar krimin e rëndë. “Unë e vrava atë. E vrava se ma kërkoi djalli. Më arrestoni”, kanë qenë këto fjalët e 36-vjeçarit nga Franca, që dyshohet se është autori i krimit.

Francezi mësohet se është arratisur nga një institucion psikiatrik në Marsejë dhe kishte shkuar në hotelin ku ishte Lala dhe e qëlloi atë me një bombol zjarrfikëseje. Lala punonte në një hotel dhe ngjarja e rëndë ndodhi në vendin ku ajo punonte.

Autori i dyshuar ishte larguar që javën e shkuar dhe kishte qëndruar në hotelin ku punonte shqiptarja. Gjatë natës së kaluar mësohet se ka pasur kriza mendore dhe ka thënë se kishte dëgjuar djallin e më pas ishte nisur për të vrarë 33-vjeçaren.

Vrasësi kishte ecur i zhveshur në korridor, kishte marrë një bombol për të fikur zjarrin dhe hyri në dhomën ku ishte Xhuljeta. Ai nisi ta qëllonte me bombol dhe shqiptarja mësohet se ka ndërruar jetë në vend.

Ka qenë një pjesëtar i stafit të hotelit që kishte parë i pari skenën e krimit e më pas kishte njoftuar policinë. Ndërkohë vrasësi qëndronte i zhveshur në një dhomë tjetër dhe ishte gati të arrestohej, pasi kishte kryqëzuar duart.  Viktima, Xhuljeta Lala, kishte disa vite që jetonte e punonte në Belgjikë./tvklan.al