Krim i rëndë në familje, shqiptari në Gjermani vret gruan dhe vajzën, më pas edhe veten



Krim i rëndë në familje, shqiptari në Gjermani vret gruan dhe vajzën, më pas edhe veten

08:44 18/12/2020

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje shqiptare në Gjermani. Sipas mediave vendase, një shqiptar nga Kosova vrau gruan 46-vjeçare dhe vajzën e tij 17-vjeçare. Më pas u vetëvar.

Akti i përgjakshëm ndodhi në Isselburg. Nga hetimet e deritanishme të autoriteteve gjermane, 51-vjeçari Asami S. donte të vriste edhe vajzën e vogël, e cila ndodhej në banesë, por planin e tij nuk e çoi deri në fund.

Policia u njoftua për ngjarjen nga një i njohur i familjes. Ky i fundit ishte lajmëruar nga vetë autori, i cili i kishte treguar se çfarë kishte bërë. I njohuri i familjes shqiptare kishte nxituar të lajmëronte autoritetet, por kur policia mbërriti aty, gjeti të vdekur burrin, gruan dhe vajzën e dytë të çiftit.

Ndërsa vajza më e vogël, 14 vjeç, u gjet brenda banesës në gjendje të mirë shëndetësore, por e traumatizuar nga ajo që kishte ndodhur.

Ndërsa vajza e madhe e çiftit, 21 vjeç, jeton në një qytet tjetër. Dyshohet se ngjarja e rëndë ndodhi për shkak të konflikteve mes çiftit.

Sipas gazetës gjermane Bild, gruaja Elfete S. donte të ndahej nga burri i saj. Edhe fqinjët i thanë policisë së kohët e fundit gruaja ka qenë e dëshpëruar. Hetimet e policisë për këtë ngjarje vazhdojnë. /tvklan.al






Të ngjashme