Viktima, një 39-vjeçare nënë e 2 fëmijëve

Kishte emigruar nga Shqipëria në Itali për t’i shpëtuar tërmetit të 2019-ës, por gjeti vdekjen nga bashkëshorti i saj. Është kjo historia tragjike e 39-vjeçares shqiptare Dorina Alla që ka tronditur opinionin publik në vendin fqinj.

Mediat italiane raportojnë se gruaja nënë e 2 fëmijëve të mitur ishte goditur për vdekje me çekiç nga bashkëshorti i saj Gëzim Alla, 51-vjeç me profesion murator. Ngjarja ndodhi në banesën e tyre në Pove del Grappa të provincës së Vicencës ku burri ishte zhvendosur 4 vite më parë.

Ngjarja erdhi si pasojë e një konflikti në familje në prani të fëmijëve një vajzë 13-vjeçare dhe një djali 9 vjeç. Menjëherë pas krimit autori ka telefonuar policinë ku ka rrëfyer për atë që kishte bërë.

Familjarët u kanë thënë hetuesve se çifti kishte konflikte të vazhdueshme, por askush nuk kishte menduar se çështja do të arrinte në këtë pikë. Viktima u kishte shprehur të afërmve se dëshironte të largohej bashkë me fëmijët, por bashkëshorti i saj nuk e lejonte.

Tv Klan