Gazetarja e gazetës zvicerane kërkon reagim nga komuniteti shqiptar

Një krim i rëndë ka ndodhur në një familje shqiptare në Zvicër në qytetin Dietikon. Gazeta “Blick” raporton se 34-vjeçarja shqiptare Luiza u qëllua për vdekje me thikë nga burri i saj Ilir B. 37 vjeç. Ngjarja ka ndodhur të hënën më 26 Gusht por është raportuar së fundmi nga mediat. Prej 1 viti, Luiza jetonte e vetëm pasi kishte braktisur bashkëshortin për shkak të keqtrajtimeve të vazhdueshme. Nëna e 4 fëmijëve kishte marrë një apartament tjetër dhe aty jetonte bashkë me ta.

Ilir B. e dhunonte dhe keqtrajtonte vazhdimisht bashkëshorten. Ai madje e kishte kërcënuar se do t’i vriste prindërit nëse Luiza do ta braktiste. Fqinjët e përshkruajnë Luizën si një “grua shumë të mirë”. Ndërsa, familjarët, miqtë dhe komshinjtë e tregojnë Ilir B. si një person të dhunshëm dhe thonë se ishin në dijeni të faktit që Luiza dhunohej, por nuk mund të bënin asgjë. Vetë 34-vjeçarja ishte detyruar të pranonte dhunën dhe kërcënimet e burrit. Por ajo qëndronte në heshtje.

Deri një vit më parë, kur mori guximin dhe braktisi bashkëshortin për të jetuar në një apartament tjetër në qytetin Dietikon. Edhe atëherë, 37-vjeçari e kërcënoi përsëri. Sërish Luiza heshti, por tani ka heshtur përgjithmonë. Të hënën, Ilir B. shkoi në banesën e saj dhe e qëlloi me thikë. Në trupin e saj kishte shumë plagë thike të shkaktuara nga disa goditje. Ajo u gjet e pajetë e mbuluar nga pellgu i gjakut. “Blick” raporton se Ilir B. kishte mbyllur në dhomë djalin e voglë 4-vjeçar të çiftit përpara se t’i merrte jetën Luizës.

Iliri me fëmijët

Kjo ngjarje e rëndë është raportuar në gazetën zvicerane nga gazetarja Dafina Eshrefi, me origjinë nga Kosova. Ajo shkruan për fenomenin e krimit në familjet shqiptare, duke e ngritur si një problematikë shqetësuese për faktin se janë ngjarje të përsëritura. Dhe për këtë, gazetarja Dafina Eshrefi e shikon fajin tek Kanuni dhe mentaliteti i shqiptarëve.

“Ka dhunë ndaj grave në të gjithë botën, kudo. Por ne shqiptarët kemi një problem të madh. Pavarësisht fesë dhe origjinës, një ligj i vjetër është në mendjen e shumë burrave shqiptarë, dhe aty gjejnë legjitimitetin për të poshtëruar gratë, rrahur dhe madje për t’i vrarë. Sipas të ashtuquajturit ‘Kanun’, gruaja nuk ka praktikisht asnjë të drejtë. Ajo shërben vetëm për të lënë pasardhës. Kurrë nuk mund t’i përkasë familjes së burrit, do të jetë përherë e huaj në shtëpinë e saj. Ne shqiptarët në Zvicër kemi dështuar si komunitet nëse nuk përballemi dhe të luftojmë dhunën ndaj grave”, shkruan ndër të tjera gazetarja Eshrefi në artikullin e Blick. /tvklan.al