Krimet e Rënda marrin në dorë hetimet, kamerat filmuan vrasjen e avokatit

Krimet e Rënda marrin në dorë hetimet, kamerat filmuan vrasjen e avokatit

10:55 23/03/2019

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë hetimet për vrasjen e avokatit Ravik Gurra. Ngjarja dyshohet se mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së avokatit. Ravik Gurra 50 vjeç ka qenë avokat i fisit Çapja në Elbasan dhe avokat në procesin e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.

Një burim i organit të akuzës i pohoi

tvklan.al,

se për shkak të dyshimeve paraprake që ngjarja lidhet me detyrën që ushtronte si avokat, çështja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda bazuar në nenin 79/a të Kodit Penal “për vrasjen e funksionarëve publikë”.

Lidhur me hetimin për këtë ngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në lokal. Nga burime hetimore,

tvklan.al

ka mësuar se është filmuar ekzekutimi i avokatit të njohur. Sipas kamerave të sigurisë, një person i pamaskuar u afrua në tavolinën ku ndodhej i ulur 50-vjeçari së bashku me dy miq të tij. Atentatori ka zbritur nga një makinë tip Benz, e cila drejtohej nga një person i dytë.

Pasi u afrua në tavolinën ku ishte ulur viktima, ekzekutori e ka qëlluar dy herë në kokë me një pistoletë të kalibrit të vogël pa silenciator. Ravik Gurra ka humbur jetën menjëherë. Ndërsa dy miqtë që ndodheshin me të nuk kanë pësuar asnjë lëndim. Ata i dhanë policisë të gjitha informacionet e nevojshme për aq sa kishin mundur të shikonin skenën e krimit dhe karakteristikat fizike të autorit. Në vendngjarje, grupi hetimor sekuestroi vetëm një gëzhojë.

Më pas, ekzekutori i avokatit Gurra u largua me automjetin që po e priste i parkuar pak metra më tutje lokalit pranë zonës së kalasë. Disa minuta më vonë, policia gjeti 7 kilometra larg vendit të ngjarjes në zonën e Bradasheshit makinën tip Mercedes-Benz të përdorur nga autorët. Mjeti u konstatua i shkrumbuar, çka do ta bëjë më të vështirë punën e hetuesve për të mbledhur prova.

Tvklan.al

mësoi se kjo makinë e përdorur në vrasjen e avokatit Ravik Gurra rezulton që të jetë e vjedhur në Dhjetor të vitit 2018 në Fushë-Krujë. Pronari i automjetit kishte bërë denoncim për vjedhjen e makinës së tij.

Çfarë thotë 

Neni 79/a:

“Vrasja e funksionarëve publikë (Shtuar me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013) Vrasja me dashje e deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, ushtarakut apo e funksionarëve të tjerë publikë, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”.

/tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi