Informacionet e policisë dhe  prokurorisë se Arbër Çekaj fshihej në Gjermani dhe ishte lokaliziuar atje ka bërë që hetimi për këtë dosje të qëndrojë në Tiranë. Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda po e heton këtë çështje për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupi të strukturuar kriminal.

Deri tani janë të arrestuar tre persona, Arber Çekaj në Gjermani si dhe Armando Pezaku e Donaldo Lushaj në Shqipëri. Këta persona akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë trafikuar 613 kilogramë kokainë në një kontenier me banane që ishte porositur nga kompania e Çekajt, “Arbi Garden” nga Kolumbia. Burime nga grupi hetimor sqarojnë se në këtë rast janë të përfshirë edhe të tjerë persona.

Kjo për faktin se një sasi e tillë nuk mund të trafikohej nga vetëm 3 persona dhe arsye e dytë është që droga do të transportohej në Europë për tu shitur. Autoritet shqiptare prej ditës së djeshme kanë nisur procedurat e ekstradimit për Arbër Çekajn dhe pritet që brenda një muaji ai të jetë në dispozicion të Krimeve të Rënda për tu marrë në pyetje.

Dëshmia e tij konsiderohet e rëndësishme për hetimin pasi 41-vjeçari është personi që ka dijeni mbi këtë rrejt trafiku. Prangosja e tij në Gjermani ka bërë që autoritet e këtij vendi t’i kërkojnë policisë shqiptare shtimin e oficerëve shqiptarë që asistojnë hetimet ku janë përfshirë grup kriminale në gjermani.

Burime sqarojnë se nga një oficer që ndihmonte policinë gjermane do të jenë katër të tillë. Duket se arrestimi i të shumëkërkuarit Çekaj dhe mbërritja e këtij rezultati në kohë rekord ka bërë që palët të intensifikojnë bashkëpunimin. I njëjti numër oficerësh ndodhet edhe në Francë ku grupet kriminale shqiptare janë mjaft aktive.

Tv Klan