Prokuroria e Krimeve të Rënda nis verifikimet për Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj. Verifikimet e prokurorëve kanë nisur kryesisht pas akuzave të Partisë Demokratike se vëllai i ministrit është dënuar në Itali me 7 vjet e 2 muaj burg si bashkëpunëtor në një organizatë kriminale të trafikut të drogës dhe se as nuk është ekstraduar dhe as po e kryen këtë dënim në Shqipëri.

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda thonë se e kanë ndjekur çështjen në vijimësi pas akuzave të partisë demokratike dhe se kanë nisur verifikimet në kuadër të ligjit anti-mafia. Ky ligj parashikon që përveç kalimit në filtër të aktivitetit të Xhafajt do të verifikohet edhe pasuria e tij dhe e familjarëve të tij. Prokurorët pritet të zbardhin gjithashtu edhe të gjitha procedurat e zbatuara nga autoritetet shqiptare si edhe do të saktësojnë nëse nga autoritetet italiane ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti për Xhafajn.

Sipas dosjes së publikuar nga Partia Demokratike, Agron Xhafaj u ndalua në vjeshtën e vitit 2002 në një operacion anti-drogë dhe për të ka një dënim të formës së prerë nga Gjykata e Kasacionit në vitin 2012.

Vetë ministri Xhafaj tha se kjo çështje nuk bënte përgjegjëse qeverinë dhe as atë vetë për gabimin e vëllait të tij 15 vjet më parë. Opzoita e akuzon Fatmir Xhafajn edhe për falsifikim të Kodit të Procedurës penale në mënyrë që të shmangej ekstradimi i vëlliat në Itali, por maxhoranca i ka konsideruar akuzat të pavërteta.

Tv Klan