Avokati: Nuk ka lidhje me atentatin

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të lerë në burg shtetasin Redjan Rraja, i cili akuzohet si autori kryesor i atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, shoferit të tij Andi Maloku dhe shtetasit Pellumb Muharremi, të njohur me pseudonimin “Rrumi”.

Rraja ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, por në seancen me dyer të mbyllura, që zgjati afro 1 orë e 30 minuta, prokurorët paraqitën prova që sipas tyre e implikojnë ish -stomatologun e burgut të Fushë-Krujës në atentatin e të premtes”.

34-vjeçari Rraja u shoqërua në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda nën masa të rrepta sigurie.

Para gjyqtares Daniela Shirka, ai mohoi të kishte lidhje me ngjarjen dhe tha se shpresonte që drejtësia të bënte punën e saj.

“Nuk kam lidhje me ngjarjen. Atentatin e mësova nga mediat. Nuk njoh asnjë nga personat e plagosur. Shpresoj që drejtësia të bëjë punën e saj. Për gjithçka tjetër jam dakord me qëndrimet e avokatit”.

Avokati Besnik Çerekja kerkoi pafajësi, pasi pretendon se Prokuroria nuk ka prova që implikojnë klientin e tij.

Prokuroria paraqiti si prova gjurmë të gishtave të Rrajës, të gjetura në një nga sendet që ishin lënë në makinën që u përdor në atentatin e të premtes në autostradën Durrës – Tiranë.

Kjo provë kyçe e bindi gjyqtaren Shirka të vendosë mbajtjen në burg të ish–stomatologut të burgut të Fushë-Krujës, deri në përfundim të hetimeve.

Por deri tani prokurorët nuk kanë mundur të saktësojnë nëse Rraja, i cilësuar si kryesori i grupit, ka vepruar për llogari të vetes apo ka qenë i paguar nga ndonjë grup tjetër kriminal.

Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, hetuesit do të marrin në pyetje sërish prokurorin Arjan Ndoja. Miku i tij Pëllumb Muharremi, i njohur me nofkën “Rrumi” dhe shoferi i prokurorit Andi Maloku nuk janë ende në gjendje të japin deklarime.

Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë shtrirë në dy pista, atë të dosjeve që ka pasur në shqyrtim Ndoja dhe konflikteve që mund të ketë pasur miku i tij Muharremi.

Njëkohësisht, policia vijon kontrollet në disa qytete të vendit, si Tiranë, Durrës, Fushë – Krujë e Lushnje në përpjekje për të zbuluar dy personat e tjerë që ishin në makinën nga u qëllua automjeti i prokurorit Ndoja.

Tv Klan