44 kallëzime për krime zgjedhore janë regjistruar nga prokuroritë. Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Përgjithshme, këto raste janë denoncuar që prej nisjes së fushatës deri këtë të mërkurë.
19 prej tyre janë referuar nga policia gjyqësore, 9 nga SPAK, 6 nga subjektet politike. Sipas prokurorisë së përgjithshme 8 raste janë të nisura kryesisht dhe 2 raste nga qytetarët.
Numri më i lartë i kallëzimeve është në Dibër, konkretisht 9, për të vijuar më pas me Tiranën me 7, Elbasani dhe Fieri nga 5 dhe qarqet e tjera. Qarku i Korçës deri të mërkurën ka vetëm 1 kallëzim për krime zgjedhore.
Nga kallëzimet e kryera janë regjistruar gjithsej 20 procedime penale. Veprat e regjistruara janë nga pengimi i subjekteve zgjedhore, dëmtimi i materialeve zgjedhore, përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike, marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit si dhe shpërdorimi i autoritetit policor.
Dy prej kallëzimeve në Durrës dhe Fier, i janë dërguar për kompetencë SPAK, ndërsa kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi.
Të martën edhe SPAK bëri bilancin e denoncimeve në lidhje me krimet zgjedhore. Në total mësohet se janë marrë 115 kallëzime, nga partitë politike, referime nga Policia e Shtetit, denoncime nga platforma online apo të iniciuara nga vetë SPAK. Nga 115 kallëzime, për 35 raste SPAK njoftoi se ka nisur hetime.
Klan News