Një operacion i iniciuar nga SPAK u zhvillua në Shkodër në kuadër të hetimeve për krimet zgjedhore në orët e para të kësaj të enjte.
Kontrollet nga hetuesi të BKH-së dhe Policisë së Shkodrës u ushtruan në Malësi të Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjedë, teksa burime thanë se janë sekuestruar prova materiale mes të cilave edhe telefonë celularë.
Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë ende detaje mbi rezultatet e këtij operacioni, teksa në mesditë në Shkodër, kreu I SPAK, Altin Dumani, zhvilloi një takim në Prokurorinë e Shkodrës.
Takimi erdhi si rezultat i bashkëpunimit në kuadër të Task Forcës për luftën kundër krimeve zgjedhore.
Po këtë të enjte, Dumani zhvilloi takim edhe në Prokurorinë e Lezhës për të njëjtin qëllim. Prej disa ditësh hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorë të posaçëm kanë zbritur në terren për monitorimin e fushatës dhe ndjekjen e kallëzimeve për korrupsion zgjedhor.
Tv Klan