Ndalohen 3 vajza, por vrasësit mafiozë enden të lirë

E trumpetoi me bujë policia një aksion në Tiranë, në një qendër masazhi. Iu vunë prangat 3 vajzave që punonin aty, menaxherit dhe një klienti që u gjend në vendin e gabuar, në momentin e gabuar.

Sipas njoftimit të policisë, përveç shërbimeve të masazhit, ishte përfshirë në çmim edhe i ashtuquajturi “Happy End”, pra që kënaqësia e relaksit kulmonte me një shërbim seksual nga vajzat masazhatore.

Vetë policia tha se kishte angazhuar shume asete të saj për këtë goditje.

Por gjithë ky angazhim dhe energji kundër vajzave masazhatore mund të ishte shpenzuar aty ku vërtetë nevojitet policia.

Aksioni policor vjen në një moment kur krimi po bën kërdinë, në çdo cep të Shqipërisë.

Por mesa duket, agjentëve të policisë iu leverdis dhe iu duket më interesante të përgjojnë vajzat që bëjnë masazhe, sesa të ndjekin vrasësit dhe kriminelët, që pothuajse çdo ditë po trondisin vendin duke përgjakur rrugët.

E teksa në shumicën e rasteve kriminelët arrijnë t’i shpëtojnë arrestimit, vendet e tyre në qeli, policia i zë me vajzat e qendrave të masazhit, a thua se ky është shqetësimi kryesor i rendit publik.

Ndaj ky aksion kundër qendrës së masazheve në Tirane nuk ka asgjë për t’u mburrur nga forcat e rendit, përkundrazi, shërben si tregues se agjentët e policisë, në këtë periudhë kanë në fokus ofertat e stinës nëpër qendrat e masazhit, përkundër zbulimit të autorëve të krimeve të rënda që kanë shtuar pasigurinë në vend.

Tv Klan