Dhuna në familjen Rrasa duket se ishte prezente prej vitesh, por pak kush imagjinonte se këtë të shtunë, Hekuran Rrasa do të vriste me armë zjarri bashkëshorten e tij Fëllënxë Rrasa, 45 vjeçe, e më pas do të vetëvritej. Gazetarja Anila Sefa, nga fshati Babunjë i Divjakës ku ndodhi ngjarja e rëndë, solli më shumë detaje.

“Shpeshherë ata kanë qenë çift i njohur në komisariatin e Divjakës për shkak të dhunës. Prej kohësh ajo ka pas kërkuar dhe urdhër mbrojtje, por nuk e ka rinovuar më. Debati mes tyre ka qenë i kahershëm”, tregoi Sefa.  

Gazetarja tha se 58-vjeçari, përveç sjelljes së dhunshme, dyshohet se kohët e fundit kishte shfaqur edhe probleme të shëndetit mendor. Sefa, duke cituar burime nga policia e Divjakës tha se kohë më parë, gruaja kishte kërkuar urdhër mbrojtje, megjithatë kohët e fundit nuk kishte pasur më denoncime në polici. Nga ana tjetër, edhe në rastet e mëparshme kur Fëllënxë Rrasa e kishte denoncuar të shoqin për dhunë, e kishte tërhequr denoncimin.

Çiftit jetonte me djalin e tyre 20-vjeçar. Ishte pikërisht ky i fundit i cili pasi dëgjoi të shtënat me armë vrapoi drejt shtëpisë. Ai gjeti të ëmën e pajetë brenda banesë dhe lajmëroi xhaxhain. Kur u rikthyen, ata zbuluan edhe trupin e Hekuran Rrasës.

Gazetarja Anila Sefa tregoi po ashtu se ata jetonin në gjendje të rënduar ekonomike dhe se autori ishte edhe përdorues i alkoolit, megjithatë kohët e fundit duket se po përpiqej të hiqte dorë.

Autori i krimit punonte në Bashkinë e Divjakës së bashku me djalin, ndërsa bashkëshortja merrej me punë bujqësie. /tvklan.al