Konfliktet për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike besohet se ishin shkaqet që çuan në krimin e dyfishtë në familjen Rrasa në Divjakë mbrëmjen e së shtunës.

Familjarë dhe fqinjë thonë se prej kohësh familja po vuante gjendjen e rëndë që kishte çuar në depresionin e Hekuranit i cili me një armë gjahu qëlloi fillimisht bashkëshorten e tij Fëllënxën dhe më pas veten.

“Ajo rrinte brenda, s’e shifnim fare, rrinte brenda 1 herë në muaj e shihnim kur vinte merrte ushqimet. Fukarenj. Papasja ça nuk bën!! Hekurani nja 3 – 4 ditët e fundit nuk ishte mirë, thoshte që nuk jam mirë”.

“Familje shumë e mirë, po të varfër. Varfëria, e papasmja. A punonin? Punonte i shoqi, pastrues te varrezat. Mbante familjen. Djali pa punë. Varfëri e madhe”.

“Punëtor ka qenë, po fukarallëku e ka mundur. Pa ndihmë, pa gjë hiç. A ishte i dhunshëm? Jo, ishte i mirë, i shoqërueshëm. Mos të ventë përpara fukarallëku”.

Hetuesit kanë marrë dëshmi të shumta të familjarëve dhe të afërmve. Ata kanë deklaruar se 58-vjeçari nuk ka qenë njeri i dhunshëm. Varfëria e tyre ishte e njohur, por nuk kanë pasur dijeni për konflikte.

Familja Rrasa në fshatin Babunj ka hapur dyert e mortit për të përcjellë në banesën e fundit Hekuran Rrasën, 58 vjeç i cili mbrëmjen e djeshme ka vrarë me armë gjahu bashkëshorten Fëllënxa Rrasa dhe më pas ka qëlluar edhe veten.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës kur në banesë ndodhej vetëm çifti i bashkëshortëve. Të shtënat janë dëgjuar nga fqinjët që kanë lajmëruar djalin e tyre. Me të mbërritur në banesë ai ka gjetur prindërit të pajetë dhe ka lajmëruar të afërmit dhe policinë. Në ato pak fjalë që mundi të thotë është se tashmë ka mbetur i vetëm ndaj kërkon ndihmë.

Tv Klan