Drejtori i NCA firmos memorandum me kreun e SPAK. Takohet edhe me Taulant Ballën

Prokuroria e Posaçme do bashkëpunojë drejtpërdrejtë me Agjencinë Kombëtare kundër Krimit të Mbretërisë së Bashkuar. Kreu i SPAK, Altin Dumani dhe drejtori i NCA, Graeme Biggar nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda dhe jashtë vendit.

Kjo marrëveshje është e para që NCA nënshkruan me një strukturë hetimore në Shqipëri, siç është SPAK. Memorandumi i firmosur nga dy drejtuesit e agjencive ligjzbatuese synon jo vetëm luftën ndaj krimit të organizuar, por edhe pastrimin e parave dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë publik.

SPAK dhe NCA do të shkëmbejnë informacion në kohë reale për grupet kriminale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri, kryesisht në trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e armëve të zjarrit dhe pastrimin e parave.

Më herët, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare kundër Krimit, Graeme Biggar (Grajem Biga), u takua edhe me ministrin e brendshëm Taulant Balla.

Në këtë takim u dakordësua bashkëpunimi dy palësh në konkretizimin e operacioneve të përbashkët, në luftën kundër krimit të organizuar, mbështetjen teknike/ekspertizën për Policinë e Shtetit dhe vetëpastrimin e saj.

Klan News