Krimi që ndodhi ditën e hënë në Greqi tronditi të gjithë vendin, por jo vetëm. Një vajzë e re 20-vjeçare u vra nga grabitësit të cilët kishin hyrë në banesë për të vjedhur. Në momentin e ngjarjes, në shtëpi ishin bashkëshorti i saj dhe vajza e vogël 11-muajshe.

Krimi makabër ndodhi në zonën Glyka Nera në Athinë. Sot bashkëshorti 32-vjeçar i së ndjerës, ishte kthyer në shtëpinë e tyre ku përjetoi momentet e tmerrit.

Ai foli shkurtimisht me gazetarët, të cilëve u tha se grabitësve u kishin treguar ku ishin fshehur paratë, por sërish ata i morën jetën gruas së tij 20-vjeçare duke e mbytur.

“Ne ishim të lidhur dhe u kishim thënë se ku ishin paratë. Nga ai moment e tutje…”

32-vjeçari kujton edhe momentin kur kuptoi se bashkëshortja e tij kishte humbur jetën.

“E kuptova që gruaja ime kishte vdekur kur fola me policinë dhe kur hynë brenda shtëpisë që më liruan”.

Bashkëshorti i së ndjerës, me profesion pilot avioni, foli për vajzën 11-muajshe dhe tregoi momentin kur policia e gjeti të miturën pranë trupit të pajetë të së ëmës duke e tundur që të zgjohej.

“Fatmirësisht vajza nuk është lënduar. U dërgua në spital si masë paraprake, por është mirë”.

20-vjeçarja do të përcillet për në banesën e fundit ditën e nesërme në ishullin ku është lindur dhe rritur. Lidhur me hetimet, autoritetet policore greke janë duke analizuar të gjitha provat e mbledhura dhe po bëjnë kqyrjen e kamerave të sigurisë. Deri tani nuk ka të dhëna për persona të dyshuar. /tvklan.al