Në tentativën e dytë, Fadil Kasemi ia arriti të vrasë ish- bashkëshorten e tij, gjyqtare e gjykatës së Shkodrës.

39-vjeçarja Fildes Hafizi Kasemi, nënë e 2 fëmijëve u qëllua me 2 plumba në makinën e saj rreth orës 14:00 të së enjtes. E kishte parkuar makinë në zonën e Xhamllikut, në anë të rrugës kryesore për t’u futur në një floktore pak metra më tej.

Pas daljes prej saj u përball me ish-bashkëshortin 53-vjeçar. Dëshmitarët thanë se i kishin parë në fillim duke debatuar dhe më pas duke u konfliktuar fizikisht.

 

Në këtë situatë gruaja është futur në makinë, por nuk ka mundur të largohej pasi ish-bashkëshorti nxori armën dhe e qëlloi dy herë duke e lënë të vdekur në vend.

Menjëherë pas krimit, autori ndali një furgon të cilit i kërkoi ta çonte në komisariatin numër 1 të kryeqytetit.

Kasemi kishte me vete edhe armën e krimit. Nga marrja paraprake në pyetje Tv Klan mësoi se 53-vjeçari dukej i tronditur, por nuk ka shprehur pendesë për krimin e kryer duke deklaruar se kishte vepruar me vetëdije të plotë.

53-vjeçari kishte tentuar ta vriste bashkëshorten edhe më 19 korrik të vitit 2015. Ai e sulmoi atë në plazhin e Golemit, në sy të djalit të tyre.

Kishte një pistoletë në çantë, por pasi gruaja i ishte lutur të mos e vriste në sy të djalit, ai e kishte qëlluar me grusht në fytyrë.

Të dy janë përleshur dhe pas ndërhyrjes së disa personave të tjerë, ai ishte larguar duke lënë aty çantën bashkë me armën.

Kasemi u shpreh në gjyq se kishte qenë i dehur dhe nuk mbante mend çfarë kishte ndodhur. Sipas vendimit të Gjykatës së Kavajes, më 28 prill 2016 ai u dënua me 3 vite burg për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje.

Çifti ishte ndarë në maj te vitit 2015 dhe Fadil Kasemi nuk kishte qenë dakord me divorcin. Burime në polici thanë se ai kërkonte që herë pas here të takohej me Fildezin pasi kërkonte të rilidhej me të.

Ai e kishte kërcënuar vazhdimisht gjyqtaren dhe ajo ishte pajisur me një urdhër-mbrojtje, urdhër që nuk e mbrojti gjyqtaren as këtë të enjte përballë plumbave të ish-bashkëshortit të saj. Tv Klan