policia_vend-300x198Një krim i rëndë raportohet të ketë ndodhur paraditen e sotme në fshatin Togëz të Librazhdit. Një person ka vrarë me thikë babain e tij për motive ende të paqarta.

Autori i këtij krimi është Ermir Çota, i cili është arrestuar tashmë nga policia. Ndërsa viktima, Ferit Çota ndërroi jetë në spital pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Sipas policisë, krimi erdhi si pasojë e çrregullimeve psiqike të 30-vjeçarit. Ndërkohë familiarët tregojnë se, Ermir Çota ishte plagosur gjatë trazirave të 97-ës dhe prej asaj kohe kishte mbetur invalid dhe ecte me paterica.

Duket se kjo ngjarje atij i kishte shkaktuar edhe probleme mendore për të cilat, herë pas here kryente konsulta e vizita në spitalin e Tiranës dhe të Elbasanit. Prej disa ditësh ai nuk dilte nga dhoma e tij dhe kishte shfaqur shenja agresiviteti.

Policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa mësohet se ka kërkuar ekspertizë psikiatrike për autorin.

Ndërsa po gjatë ditës së sotme, në qytetin e Vlorës një i ri tentoi të vrasë me armë zjarri xhaxhain e tij. Fatmirësisht nga shkëmbimi i zjarrit nuk pati viktima.