Policia e Tiranës ka arrestuar Erdet Çapokun, vrasësin e kunatës së tij Enkeleda Çapoku. Nga burimet policore mësohet se Erdet Çapoku është kapur në zonën e Laprakës.

Krimi i rëndë ndodhi mesnatën e së enjtes në zonën e Paskuqanit në kryeqytet. 30-vjeçarja u vra në sy vajzës dhe nënës së saj nga vëllai i bashkëshortit, pas një konflikti mes tyre.

34-vjeçari Erdet Çapoku goditi me sende të forta disa herë kunatën, duke i shkaktuar vdekjen për shkak të plagëve të rënda. Pas krimit të rëndë, i dyshuari u arratis, por u arrestua pas disa orësh nga blutë e kryeqytetit.

Konflikti mes tij dhe kunatës kishte nisur disa muaj më parë pasi viktima e kishte përzënë nga banesa kunatin e saj. Duket se kjo ka qenë edhe nisja e konfliktit, teksa autori kërkonte nga 30-vjeçarja t’i kthente disa orendi me pretendimin se ishin të tijat. Enkeleda Çapoku e kishte denoncuar për përndjekje dhe dhunë 34-vjeçarin.

Për këtë, Erdet Çapoku ishte thirrur edhe në komisariat ku kishte treguar se e fotografonte kunatën e tij dhe fotot ia çonte vëllait në burg, por më pas është lënë i lirë. Fqinjët shprehen të tronditur nga ngjarja e rëndë. /tvklan.al