Kreu i qeverisë, Edi Rama, gjatë prezantimit të paketës ligjore kundër krimit të organizuar apo ndaj grupimit që e quan “KÇK” ose “Kap Ç’a të Kapësh”, u shpreh se krimi në vend është më i ulët se në periudhën e qeverisjes nga opozita.

Sipas kreut të selisë rozë, krimi është kthyer në një shenjë një fytyrën e Shqipërisë, por shtoi se ndikim negativ kanë përpjekjet e papërgjegjshme të kundërshtarëve politikë, por edhe nga negativiteti i përgjithshëm i lajmeve.

“Duke ardhur tek tema që na ka mbledhur këtu dhe që lidhet me një fenomen i cili është real, nuk është fantazi, që është krimi, por që për fatkeqësinë e popullit dhe këtij vendi, është kthyer në një shenjë në fytyrën e Shqipërisë si rezultat  i përpjekjes masive, të papërgjegjshme, të kundërshtarëve tanë politikë në gjuhë të huaj.

Nga ana tjetër, unë lexoj në Facebook-un tim çdo ditë komente, “po vriten njerëzit përditë’. Ku janë këta njerëz që po vriten? Ku? Ua them unë. Janë në atmosferën e rënduar shumë nga fjalët, nga lajmet por edhe nga negativiteti i përgjithshëm i lajmeve. Para dy ditësh hapa një nga këto portalet dhe kishte një titull ‘5 policë të vrarë’, natyrisht ata nuk ishin vrarë në Shqipëri.

Por të gjitha këto së bashku krijojnë një ndjesi të rëndë perceptimi”.

Rama u shpreh se numri i vrasjeve është më i vogël se në vitin 2012 dhe se goditja e grupeve kriminale është shumë më e lartë separa marrjes së pushtetit.

Duke marrë si shembull Shkodrën, kreu i ekzekutivit u shprehur se numri i vrasjeve në këtë qytet është shumë herë më i ulët, duke thënë se “dita më e keqe e qeverisë Rama, nuk krahasohet fare as me ditën normale të qeverisjes së kaluar”.

“Patjetër që ka nevojë të bëjmë më tepër dhe të kemi një situatë më solide, por jemi drejt mesatares evropiane”. /Tvklan.al