Mbrëmjen e sotme në emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus u trajtua një ngjarje e ndodhur 9 vite më parë. Një krim ende sot i pazbardhur dhe për të cilin pavarësisht dyshimeve, nuk është arrestuar, gjykuar apo dënuar askush.

Një histori e trishtë që bëri shumë bujë dhe ngjalli shumë mistere si për familjen dhe për opinionin publik në atë kohë.

Mëngjesin e 2 Shkurtit 2011, një zjarr në një banesë pranë “Zogut të Zi” në kryeqytet fillimisht u trajtua si një njoftim rutinë dhe u nis vetëm shërbimi zjarrfikës. Por pas depërtimit në brendësi, u zbulua se brenda ndodhej një viktimë, një vajzë rreth të 30-ve ishte pa shenja jete.

Menjëherë u njoftua dhe policia. Në  momentet e para u dyshua që vdekja të kishte ardhur nga asfiksia për shkak të tymit, e më pas u dyshua se vdekja të kishte ardhur nga djegia si pasojë e zjarrit që kishte përfshirë banesën.

Por asnjëra prej këtyre pistave nuk ishte e sakta. Hetuesit zbuluan se në trupin e viktimës kishte shumë  plagë  të shkaktuara me thikë.

Nga ky moment i gjithë fokusi i hetuesve ndryshoi. Në vendngjarje tashmë duheshin oficerët e sektorit të krimeve të rënda në polici. Kishim të bënim me një vrasje të qëllimshme dhe më pas një inskenim. Viktimë ishte juristja e një institucioni të rëndësishëm, e cila jetonte e vetme në apartamentin në katin e 4 të pallatit të ndërtuar para viteve ‘90. Pa një dyshim fillestar, shtëpia u bë objekt i një ekspertize të detajuar, e cila zgjati për rreth 48 orë.

Gazetarja Etleva Delia: Zjarri ka rënë paradite, ndërsa fqinjët kanë parë që të dilte tym nga ballkoni i apartamentit. Në atë moment kanë njoftuar zjarrëfikëset për një zjarr. Dyshimet në ato momente kanë qenë për një zjarr në një apartament në afërsi të “Zogut të Zi” në katin e 4-t të një pallati të vjetër.  

Zjarrëfikësit kanë vajtur shumë shpejt se janë dhe afër vendit të ngjarjes. Ka qenë shumë e vështirë realisht te futeshe brenda, duke qenë se ishte dhe lart. Dera ishte e mbyllur dhe janë futur nëpërmjet  dritares brenda. Në atë moment kanë gjetur një vajzë rreth të 30–ve që ishte e asfiksuar, kishte dhe shenja djegie. Fillimisht zjarrfikësit dyshuan për një djegie graduale për shkak të rrëshqitjes së një batanije që kishte rënë në kontakt me një ngrohëse afër saj. 

Gazetari Habjon Hasani: Në fillim u mendua se ajo ishte viktimë e një problemi me elektroshtëpiaket ose e kishte zënë korrenti dhe ishte djegur, ose ishte djegur dhe nga asfiksia kishte vdekur. Kaluan disa orë dhe pasi u bënë disa ekspertime profesionale në trupin e të ndjerës, u konstatuan hematoma dhe kishte plagë të goditjes me thikë.

Gazetarja Etleva Delia: Domethënë e gjithë ngjarja ishte inskenuar e tillë qoftë dhe për ta fshehur, që të humbnin gjurmët, ato shenjat, ishte e bërë e tillë nga autori i ngjarjes që të dukej si zjarr aksidental. Ngrohësja ishte afruar afër viktimës pasi ajo ishte goditur. Sigurisht këto detaje i mësuam më vonë dhe batanija kishte marrë flakë gradualisht, aq sa komshinjtë kishin parë flakët paradite. Ekspertët kriminalistë që erdhën në vendngjarje nisën të dyshonin pasi kishte njolla gjaku dhe plagë në trup, disa, sepse nuk ishin pak. Ekspertët konstatuan me dhjetra plagë të kryera me një mjet të fortë thikë.

Gjatë kësaj kohe, policia dhe zjarrfikësit nëpërmjet komshinjve arritën të identifikonin se kush ishte viktima. Bëhej fjalë për Aurora Trashanin 32 vjeç nga Shkodra, që jetonte prej disa kohësh me qira në apartamentin e katit të katërt të këtij pallati.

32-vjeçarja përveç se punonte si juriste tek Autoriteti i Konkurrencës, ishte dhe kushërira e ish-ministres së Integrimit Arenca Trashani, që atë ditë shkoi menjëherë në vendngjarje së bashku me të afërm të tjerë.

Pasi u mësua se kishim të bënim me një vrasje dhe jo me një ngjarje aksidentale nga zjarri, rezultoi se Aurora ishte vrarë gjatë mbrëmjes së datës 1 Shkurt dhe më pas ishte lënë ngrohësja me gaz afër për të krijuar alibinë e vdekjes nga flakët. Oficerët ngritën dhe pistat e para hetimore duke u bazuar tek tipologjia e kryerjes së krimit, si dhe dëshmitë e pakta të administruara në ato momente nga mikeshat dhe të afërm të viktimës.

Gazetari Habjon Hasani: Ne jemi informuar rreth datës 3 ose 4, rreth mundësisë se kemi të bëjmë me një vrasje pasioni.

Gazetarja Etleva Delia: Oficerët kishin dyshimet për një krim pasioni. Ose një krim për motive xhelozie. Dikush që kishte patur një lidhje me të. Madje në një moment pati dyshime se mund ishte dhe një krim femëror. Kjo para se të provohej nëpërmjet tabulateve dhe dëshmitarëve se ishte një person tjetër pas kësaj.

Brenda tre ditësh hetuesit dolën me një emër të dyshuari konkret, i cili u shpall në kërkim policor.

Gazetarja Etleva Delia: Disa të dhëna të siguruara në rrugë operative, qoftë nëpërmjet tabulatëve telefonike, dëshmitarëve dhe kqyrjes së telefonit të viktimës, kishin rënë në gjurmët e këtij personi.

Për herë të parë del në skenë emri i Romeo Vides, 47 vjeç në atë kohë, që jetonte në Gjermani dhe që kohët e fundit udhëtonte shpesh drejt Shqipërisë.

Gazetarja Etleva Delia: Nga kqyrja e telefonit të saj janë gjetur disa mesazhe dhe komunikimi në Facebook. Se në Facebook ishin njohur në Shtatorin e vitit 2010. Nga Janari i 2011 kishte qenë Aurora që kishte dashur t’i jepte fund. Dhe mesazhet që vinin nga Janari deri ditën e vrasjes kishin fyerje, kërcënime, etj.  /klanplus