Kardiologët: Reduktimi i saj, shmang përshkallëzimi e problemeve shëndetësore

Sipas ISHP, reduktimi i kripës mund të shmange vdekjet nga infarkti apo sëmundjet e tjera kardiovaskulare. Mjekja kardiologe, Eva Duraku tregon efektet negative që shkakton kripa në organizëm.

“Kripa është shumë e dëmshme për sëmundjet kardiovaskulare, kjo sepse ndikon shumë në patologjitë e tjera të cilat ne i njohim si faktor rreziku. Kripa ndikon në rritjen e presionit të gjakut, pra tek ata që vuajnë me hipertension, kripa është shumë e dëmshme, por dhe tek ata të tjerë që nuk vuajnë mund të predispozojnë”, ka thënë mjekja kardiologë Eva Duraku.

Sipas specialistes vitet e fundit janë shtuar edhe moshat e reja që kanë probleme kardiake

“Vihet re edhe një shtim tek moshat e reja, por sigurisht mosha është faktori kryesor i rrezikut mund të themi me plot bindje, edhe pse kohët e fundit kemi parë shumë raste tek sëmundjet e zemrës dhe tek moshat e reja. Kjo për faktin se ata janë të prekur nga shumë faktorë rreziku siç janë nga hipertensioni, yndyrnat e larta, jeta sedentare”, është shprehur kardiolgia Duraku.

Personat që kanë familjarë që vuajnë nga sëmundjet e zemrës duhet të tregohen më të kujdesshëm theksojnë kardiologët.

“Në fokus duhet ta tregojnë ata që kanë një gjenetikë të shprehur, pra një trashëgimi ndaj këtyre sëmundjeve, qoftë ndaj faktorëve të rrezikut siç janë yndyrnat e larta etj”, ka thënë mjekja.

Për të parandaluar problemet kardiake, specialistët rekomandojnë dieta sa më të shëndetshme dhe mbi të gjitha aktivitet fizik çdo ditë.

Klan News