“Krishtlindje në Tiranë” do të jetë një spektakël që do të transmetohet sonte në orën 21:00 në Klan Plus nën prezantimin e Sokol Gugës dhe Manjola Nallbanit, ku do ketë tregime jetësore, mirënjohje etj. Përveç këngëtarëve shqiptarë si Manjola Nallbani, Eranda Libohova, Marsela Çibukaj dhe Rosela Gjylbegu, pjesëmarrës në këtë spektakël do jenë dhe personazhe të njohur nga e gjithë bota. Magjia e festës së Krishtlindjeve vjen nën prezantimin e Sokol Gugës. Në veçanti mund të veçojmë popstarin italian dhe kryesuesin e klasifikimeve, Alex Palmieri dhe aktorja me famë ndërkombëtare italiane Ornella Muti.

Performanca, e transmetuar drejtpërdrejt, do të shoqërohet edhe me intervista të tjera. Kjo është një eksperiencë e re për këngëtarin Alex Palmieri i cili filloi karrierën e tij nga klubet e vogla italiane dhe më vonë arriti në skena të rëndësishme evropiane ( Trafalgar Square Garden në Londër në 2017 dhe L’Europride në Vjenë  në 2019). Ai është shprehur i lumtur dhe i emocionuar për këtë aventurë të re midis sfidave dhe pasigurive të diktuara nga pandemia e cila ka bllokuar të gjithë sektorin e muzikës.

64 vjet ikonë e bukurisë, aktorja Ornella Muti e nisi debutimin e saj në kinema në vitin 1970, ku në moshën 14-vjeçare si modele zgjidhet për të interpretuar në filmin italian “Gruaja më e bukur”. Ky rol e ndihmoi të marrë pjesë edhe në filma të tjerë italianë e ndërkombëtarë. Por suksesi vjen 10 vjet më vonë ku xhiron filmat e njohur me Adriano Çelentanon dhe refuzon të luajë protagonisten në Sagën e famshme të filmave “Agjentin 007”.

Ka luajtur përkrahë yjeve të viteve ’80-’90  si Sylvester Stallone dhe Alen Delon duke u kandiduar si aktorja më e mirë në Oskaret evropiane.

Në vitin 1994 shpallet gruaja më e bukur e botës nga revista amerikane Class. Ajo është një nga aktoret më të njohura e më të vlerësuara italiane me më shumë se 35 çmime e kandidime mbi 150 role në filma e teatër të regjisorëve më të mirë italianë e ndërkombëtarë. /tvklan.al