Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kristian Portman, drejtor dhe koordinator rajonal për Europën Juglindore, gjatë vizitës pesëditore në Shqipëri, ka zhvilluar takime me kryeministrin Meta dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë tonë. Ka marrë pjesë në tavolinën ekonomike të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, si dhe ka vizituar në terren projekte të financuara nga Banka Botërore.

Gjatë takimit me kryeministrin Meta, ky i fundit ka kërkuar nga Banka Botërore supervizionimin e projekteve të rrugëve, si dhe përmbushjen e afateve. I pyetur rreth kësaj zoti Portman është përgjigjur.

“Përgjegjësia e projekteve të rrugëve i takon qeverisë shqiptare. Komenti i kryeministrit tuaj është në kontekstin e rishikimit të portofolit të Bankës Botërore për projektet këtu. Ne do të marrim masat në bazë të konstatimeve tona”.

Për privatizimin e Telekomit, zoti Portman është shprehur se Banka Botërore nuk është përfshirë drejtpërdrejtë në këtë privatizim, por ne e mbështesim formulën e përgjithshme të privatizimeve të ndërmarrjeve shtetërore në Shqipëri. Ndërsa situata makroekonomike në vend për Portman është e mirë./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori