Kriteret për pajisjen me armë me leje




Kriteret për pajisjen me armë me leje

22:24 16/06/2021

Policia përcakton kushtet dhe dokumentet që qytetarët duhet të plotësojnë

Policia e shtetit ka përcaktuar kriteret bazë dhe dokumentet shoqëruese që u nevojiten qytetarëve për blerjen dhe mbajtjen e armëve me vjaska, gjuetie dhe sportive.

Kushti kryesor për t’u pajisur me armët e kategorisë “C”, është që qytetari i cili është mbi 25 vjeç, të mos ketë qenë i dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje. Kriter tjetër është të ketë besueshmëri sipas ligjit, që do të thotë të mos jetë përfshirë në konflikte apo të mos ketë denoncime ndaj tij në polici.

Për t’u pajisur me leje për mbajtjen apo blerjen e armës, qytetarët duhet të jenë të aftë fizikisht dhe mendërisht, të konfirmuara me një raport të komisionit mjeko-ligjor. Ata që duhet të pajisen me leje për mbajtjen e armës,  nuk duhet të jenë debitorë në shlyerjen e gjobave për kundravajtjet administrative.

 Pasi të plotësohen këto kritere, personi duhet të ketë kryer aftësi teorike dhe praktike për përdorimin e armës, të cilat duhet të merren pranë pikave të autorizuara nga Policia e shtetit. Dokumentet që provojnë aftësitë, së bashku me ato të gjeneraliteteve, do të dorëzohen pranë zyrës së shërbimeve për qytetarë pranë komisariateve të Policisë.

Një tjetër informacion i rëndësishëm i Policisë është që qytetarët fillimisht duhet të pajisen me leje  pastaj të blejnë armën, pasi në të kundërt mund të akuzohen për armë mbajtje pa leje.

Nga ana tjetër Policia është duke bërë regjistrimin në sistemin elektronik SIMA të armëve me leje. Nga 103 mijë armë në total që janë në procesverbalet e policisë, në sistem janë regjistruar deri më tani 65 mijë të tilla. Afati për përditësimin e të të dhënave, është deri më 31 Dhjetor.

Klan News





Të ngjashme