Kritika më pozitive që ka marrë Grida Duma

Posta

Kritika më pozitive që ka marrë Grida Duma

18:28 22/10/2019

Ish-deputetja e ftuar në programin “Rudina” flet për librin e saj “Koha për politikë”

Grida Duma është një personazh i njohur publik që shquhet për imazhin e një gruaje të bukur, por edhe për rolin e saj në debatet publike, angazhimet akademike, ndërsa ka spikatur me profilin e saj edhe në politikë.

Një grua në karrierë, por që ka ditur shumë mirë të ruajë balancën e një politikaneje dhe një sociologeje në profesionin e saj. E ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, Duma ka folur për librin e saj më të fundit, “Koha për politikë”.

Libri është me kopertinë bardhë e zi dhe jo pa qëllim. Kjo ka një domethënie të veçantë.

Grida Duma: Për mua është më domethënëse kështu, sepse i përshtatet vendimmarrjes, domethënë të ndajmë po-në nga jo-ja, sepse kemi vuajtur gjatë në histori me një sorrollatje llafollogjie le të themi kështu, ku shpesh themi kjo.

Rudina Magjistari: Pra jo nuanca, ose po ose jo.

Grida Duma: Politika është vendimmarrje dhe duhet të jetë vendimmarje e qartë se çfarë duhet të bëjmë. Shqipëria ka nevojë për qartësi, besim dhe kredibilitet që duhet t’i vijë nga njerëzit e vërtetë. Duam të vërtetën!

Përmes këtij libri, Duma hedh ide të qarta për zhvillimet politike në Shqipëri, rrugët e zgjidhjes, koha sesi mund të jetë politika e asimiluar nga të gjithë.

Rudina Magjistari: Pse e ke titulluar pikërisht “Koha për politikë? Pse tani?

Grida Duma: Për të goditur pikërisht absurdin. Nuk është bërë politikë. Rudinë, në përditshmërinë tonë, unë mendoj që shqiptarët në atë qe kemi shfaqur si politikë, por që për mua nuk është politikë, ende duket sikur janë shumë të politizuar dhe e njohin shumë mirë jetën politike në vend. Madje, duhet të them, jo vetëm që e njohin jetën politike në vend, por shqiptarët janë kaq të mençur dhe të zgjuar, sa edhe kur na takojnë ne, në mënyrë të zakontë na japin atë mesazh që duam ne të dëgjojmë. Domethënë, më lejo të të them një të vërtetë, nëse takon një shofer taksie jam e bindur që po të shkoj të ulem unë aty, do më thotë gjërat që dua të dëgjoj unë, po të shkoj dikush tjetër nga krahu tjetër, herë pas here i thotë gjërat që do të dëgjojë ai. Është mençuri e rrallë. Ju do thoni çfarë po thua: Kjo dyanësi është mençuri? Kjo dyanësi është mençuri, sepse ata na kanë blerë ne dhe jo ne i blejmë ata. Ata e dinë shumë mirë, që dyfytyrësia e politikës herë pas here është për t’ia kthyer me të njëjtën monedhë. Njerëzit e kanë izoluar politikën sot, e shikojnë nga larg si një sferë më vete që bën përgjithësisht punët e veta dhe jo punët e njerëzve, ndaj politika duhet kthyer në politikën e bërjes dhe unë e kam thënë qartë, çfarë nuk është bërje nuk është politikë, është llafollogji.

Grida Duma organizoi në datën 16 Tetor, një event ku prezantoi mes miqsh e kolegë, librin e saj “Koha për poltikë”. Ajo me këtë libër vjen me thellimin e dymbëdhjetë eseve që ka botuar gjashtë vite më parë. Në thelb të librit është politologjia.

Duhet një sistem i ri kushtetues. Duhet të thërrasim njerëzit në politikë. Nis që nga referendumet, duhet ulur pragu i referendumeve. Sot kemi një prag aq të lartë, saqë nuk ka mundësi në komunitet të shkosh të mbledhësh aq shumë firma, ku demokracia të jetë e drejtpërdrejtë. Ne e kemi bërë referendumin të pabëshëm dhe njerëzit nuk marrin dot pjesë drejtpërdrejt në demokraci”, shprehet Duma.

Ajo ka një mendim edhe për të gjithë ata që janë të pakënaqur që kanë lindur në Shqipëri.

Grida Duma:Padyshim, do ishte mirë të kishim lindur në Francë, në Amerikë, etj etj. Por ne nuk mund ta kalojmë jetën duke qarë fatin që lindëm në Shqipëri, në një kohë që kur vijnë francezët mrekullohen me ne dhe në një kohë që ne e dimë shumë mirë se sa do na shijojë vetja këtu, nuk do na shijojë askund. Kjo është e vërtetë dhe le të themi që ky nuk është fati i zi”.

Rudina Magjistari: Cila ka qenë kritika më pozitive?

Grida Duma: Kritika më pozitive ka qenë kjo: Grida ti shkruan libra dhe na kënaq mendjen, por nuk ndryshon asgjë.

Grida Duma ka përshkruar në librin e saj, ndër të tjera se duhet një parlament dy dhomësh, ku të përfshihen edhe mendjet e ndritura, apo siç e cilësoi Duma, “nuk kemi luksin të humbasim eksperiencën”, ndërsa shtoi se kandidatët për deputetë duhen bërë me lista të hapura dhe të zgjidhen nga populli. /tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT