Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë hedhur hapin e parë në përurimin e një bashkëpunimi strategjik. Ky është konkluzioni i përftuar në Athinë, pas vizitës së Kryeministrit Tsipras në Shkup, ku u zhvillua edhe mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive, i quajtur ndryshe, Këshilli Suprem i Bashkëpunimit.

Por partitë opozitare dhe shumica dërrmuese e analistëve e kanë cilësuar vizitën e Cipras, një përpjekje për të përmirësuar imazhin negativ që krijoi në opinionin grek Marrëveshja e Prespës.

Athina zyrtare ka promovuar si një nga rrjedhojat pozitive të marrëveshjes së Prespës faktin se avionë luftarakë do të monitorojnë hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut. Por kritikët thonë se kjo është një procedurë që bëhet në kuadër të NATO-s, i njohur si Air Policing.

Analistët shtojnë me nënkuptim se Greqia asiston me Air Policing edhe hapësirën ajrore të Shqipërisë, por nuk ka pasur kurrfarë influence pozitive në marrëdhëniet Athinë-Tiranë, të cilat prej disa muajsh mbeten krejt të ngrira.

“Marrëveshja e Prespës është cilësuar nga shumëkush si një model që duhet ndjekur edhe për problemet e tjera dypalëshe mes vendeve të rajonit.

Athina e kishte dhënë e para këtë shembull, por nuk duket e prirur që ta zbatojë këtë model edhe me Shqipërinë. Të paktën jo tani afër. Jo para se të përfundojnë tre ballafaqimet elektorale të këtij viti: zgjedhjet europiane dhe ato lokale në maj, si dhe zgjedhjet e përgjithshme që duket se do të mbahen në vjeshtë”.

Tv Klan