Komenteve kundër paketës AntiKÇK, Kryeministri Edi Rama zgjodhi që pasditen e kësaj të mërkure t’i përgjigjej me anë të një reagimi në Twitter, ku përcolli mesazhin e një qytetari. Kryeministri thotë se të njëjtët njerëz të cilët dalin nëpër studio televizive e sulmojnë qeverinë sa herë ndodh një vrasje, tani po mbrojnë krimin.

“A janë njerëz këta a ça janë?”,më shkruan një qytetar i tronditur nga komentet e studiove televizive kundër paketës antiKÇK! Eh, kanë kaq kohë që shajnë, akuzojnë, shpifin për lidhjet e qeverisë me krimin dhe mblidhen në sallonet TV sa herë ndodh një vrasje, duke sulmuar qeverinë. Sot që qeveria është angazhuar në ofensivën më shembullore kundër krimit në historinë e vendit, mblidhen në sallonet TV për të mbrojtur krimin nga qeveria që po shkel të drejtat e atyre,të cilët deri dje pa pikën e turpit, i lidhnin me mua,me PS e me çdo fitore elektorale të PS“, shkruan Rama.

“Njerëz janë njerëz, po janë armiqësuar me të vërtetën, me faktet e me vetë profesionin e tyre për inat të qeverisë! Dhe janë kaq qorrazi kundër qeverisë, sa tani janë kthyer befas në avokatë gjynahqarë të krimit, që po lenë kokrrën e namit me dokrrat e dembelizmit të tyre mendor“, shton ai më tej./tvklan.al