Emisioni “Stop” trajtoi këtë të hënë rastin e Asaf Shehut, i cili pas 10 muajsh premtime, edhe pse u shpall fitues nga konkursi për drejtues burgu, sërish nuk u emërua në detyrë. Fjalia fatale në prezencë të ministres Etilda Gjonaj i kushtoi shumë Asafit. Shefi i kabinetit vazhdon ta mashtrojë, pa i dhënë një përgjigje zyrtare.

Asaf Shehu: Si kalove?

Shefi i kabinetit: Ça bëre?

Asaf Shehu: Asafi jam!

Shef i kabinetit: Ç’të bëja tani?

Asaf Shehu: Ç’është kjo punë? Më thuaj të paktën po ose jo, zyrtarisht dhe të shoh hallin tim, se ngela…!

Shefi i kabinetit: Ti ça pret akoma, se tani s’e kuptoj?!

Asaf Shehu: Po një përgjigje të paktën! U bë, a s’u  bë puna ime? Janë emëruar sa e sa të komanduar.

Shefi i kabinetit: Po ti kërkon drejtor, o Asaf! Janë mbyllur tani për momentin.

Asaf Shehu: Po si t’ia bëj unë tani?

Shefi i kabinetit: Drejtori i Tepelenës është mbyllur tani.

Asaf Shehu: Kush ka thanë Tepelenë, o vlla?!

Shefi i kabinetit: Po s’ka  pra për  momentin. Nëse do të ketë ndonjë ndryshim…

Asaf Shehu: Po ndryshime u bënë  tani, sa u bënë tani.

Shefi i kabinetit: Ato, që  janë të komanduar, janë të komanduar.

Asaf Shehu: Po jo komandim, komandimi është ndryshe, konkurrimi është ndryshe.

Shefi i kabinetit: Ata, që janë emëruar, janë përzgjedhje…

Asaf Shehu: Di unë, kur të më vijë i komanduari, unë jam i radhës, edhe sikur të isha I fundit nga 15 e listës…

Shefi i kabinetit: Asaf! Akoma nuk janë mbyllur. Ato, që janë emëruar, janë emëruar. Ka  akoma vende, që janë me komandim.

Asaf Shehu: Po, jo o shef! Nuk bëhet kështu tani… edhe tek lista janë vendet mjaftueshëm.

Shefi i kabinetit: Tani nuk është momenti për këtë diskutim.

Asaf Shehu: Do më presësh, të flasim në zyrë?

Shefi i kabinetit: Jo! S’të  pres dot sot.

Asaf Shehu: Po kur të vij? 

Shefi i kabinetit: Kur të japin një përgjigje!

Asaf Shehu: Po mirë! Konsultohu me ministren! Ti  telefonin ia ke…Të takoj unë ministren?! Ma bëj këtë të paktën!

Shefi i kabinetit: Të lutem! Bëraaaa…mjaft!

Asaf Shehu: Dakord, dakord! Po të pres atëherë!

Shefi i kabinetit: Jo mos më prit, se nuk të…., ashtu!

Asaf Shehu: Po pres ….! Më kthe një përgjigje zyrtare po të them! Nëma me shkrim në fund fare, o burrë!

Shefi i kabinetit: Nuk kam çfarë të jap! Mos më prit kot!

Për ta larguar nga Ministria dhe sistemi i Burgjeve, ai njoftohet me mesazh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për një konkurs tjetër në sistemin mesatar, për të cilin nuk kishte aplikuar.

“Përsëri nga sektori i burimeve njerëzore për shërbimin e sektorit penitenciar, sektorit të policisë që të paraqitesha sot për nesër. Nuk kisha aplikuar, as vetë nuk e di. Jo vetëm sot për nesër, por pa u dhënë përmbajtja e testeve, pa u dhënë kohë, gjithsesi nuk e mora rrugën për të hyrë në konkurs, megjithëse pozicionet edhe po të veja deri shef policie mund të shkoja. Ky ishte për të tëra pozicionet”.

E megjithatë paraqitet edhe për këtë konkurrim. Por aty i thonë, se nuk mund të konkurrojë dot, pasi rezulton i dënuar në vitin 1987 për përvetësim të pronës socialiste.

Asaf Shehu: Në orën 9:00 shkova në Drejtorinë e Burgjeve. Na çuan tek sektori i burimeve njerëzore, tek zonja Jola Demiri, e cila tha se do hyjmë një nga një. Më vë në dijeni dhe më thotë që ju nuk mund të konkurroni pasi në bazë të nenit 17 rezultoni i dënuar dhe keni vuajtur dënimin 9 muaj burg në ’87.

Kur doli kjo, pse nuk e kapën këtë detaj në konkursin kur bëtë për drejtor.

Asaf Shehu: E theksoj se unë në dëshmi penaliteti, jo vetëm për punë, por edhe për gjëra të tjera si qytetar unë kam nxjerrë dhe kjo është gjëja më e jashtëzakonshme në qoftë se ti nuk bën shaka i thashë.

Sipas Asafit, kjo është kryekëput një gënjeshtër, pasi ai nuk ka qenë kurrë i dënuar. Në vitin 1987 Asaf Shehu tregon, se ka qenë mësues dhe më pas ushtar.

Çfarë pretendohej se ishit dënuar asokohe?

Asaf Shehu: Përvetësim i pronës socialiste dhe ku është më e bukura. Në ’87-ën në jetën time kam kryer 3 gjëra njëkohësisht kam qenë mësues duke vazhduar shkollën me korrespondencë, mësues në shkollën e Buzit, vazhdoja shkollën me korrespondencë në Gjirokastër dhe vjen fletëthirrja po në 87-n që duhet të vazhdoja për ushtar. Kjo është një gjë shumë e rëndë. Unë kam të drejtë që brenda ligjeve, dhe rregullave, të vëna edhe nga vetë qeveria t’i përmbahem konkurrimit, të drejtës për të konkurruar tek vetë Ministria e Drejtësisë dhe institucionet vartëse të saj gjej të tilla gjëra. Kjo është shumë domethënëse sepse në sistemin e burgjeve di që kam investuar. Le të zbardhet testi im, unë jam gati si gjithmonë, në besimin tuaj të testohem përsëri qoftë edhe me këta… Të dimë se kush e meriton dhe kush jo. /tvklan.al