Lideri i lëvizjes anti-Putin dyshohet se është helmuar

Alexei Navalny, një ndër figurat kryesore të opozitës anti-Putin në Rusi, mund të jetë helmuar. 44-vjeçari u dërgua mëngjesin e kësaj të enjteje në spitalin e Omskut në gjendje kome.

Pamjet tregojnë momentet pasi ai u ndje keq dhe humbi ndjenjat gjatë kthimit me avion në Moskë, pas një vizite në Tomsk. Avioni bëri ulje të detyruar në qytetin e Omskut.

Mjekët e spitalit të Omskut thanë se Navalny ishte në gjendje të rëndë por të stabilizuar dhe ishte vendosur në ventilim. Kira Jarmish, zëdhënësja Fondacionit Anti-Korrupsion, shprehu përmes Twitter shqetësimin se mjekët nuk japin asnjë detaj më shumë për diagnozën apo nëse gjendja e tij i rrezikon jetën.

Jamish hodhi dyshime për helmim pasi tha se para se të nisej drejt Moskës, Navalni kishte pirë vetëm çaj. Navalni është arrestuar disa herë prej vitit 2011 kur u shfaq publikisht si aktivist anti-Putin. Në 2018-ën kur ai u përpoq të garonte përballë Putinit për president, u ngritën ndaj tij akuza për mashtrime financiare. Ndërsa vitin e kaluar, fondacioni i drejtuar prej tij Anti-Korrupsion u shpall si mekanizëm i agjenturave të huaja.

Tv Klan