Presidenti amerikan është zotuar që të hapë qendra të reja për strehimin e fëmijëve

Administrata e Biden ka thënë se do të hapë ambiente shtesë për migrantët pasi imazhet nga një qendër paraburgimi në Teksas treguan fëmijët e mbledhur në dhoma të improvizuara së bashku me njerëz.

Teksasi, po strehon mbi 1000 emigrantë të paligjshëm të cilët tentojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fotografitë e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë fëmijët të cilët mbahen në kushte jo të mira që kur Presidenti Joe Biden mori detyrën. Kritikët kanë fajësuar Biden për një rritje të migrimit të paligjshëm në SHBA.

Që nga marrja e detyrës në Janar, presidenti amerikan ka hequr disa nga kufizimet për ata që hyjnë në SHBA. Administrata e tij ka përmbysur një politikë të kthimit të fëmijëve të pashoqëruar në kufi.

Sekretarja e shtypit për Shtëpinë e Bardhë Jen Psaki bëri të ditur se qeveria e SHBA po punonte për të siguruar akomodim, qasje në kujdesin shëndetësor, në burimet arsimore madje edhe në burimet ligjore.

Gazetarët nuk janë lejuar brenda qendrave të paraburgimit që kur Biden mori detyrën, megjithëse Shtëpia e Bardhë ka thënë që do të krijohen hapësira të tilla. Avokatët që përfaqësojnë fëmijët dhe ligjvënësit që kanë vizituar objektet, i kanë përshkruar kushtet si të tmerrshme.

Numri i të miturve të pashoqëruar në kufi është rritur ndjeshëm muajt e fundit. Qeveria amerikane ka thënë se do të punojë me Meksikën dhe Guatemalën për të adresuar shkaqet kryesore të problemit, të cilat përfshijnë varfërinë dhe dhunën e përhapur në Amerikën Qendrore.

Nga Tetori në Shkurt, rreth 30 mijë të mitur u paraqitën në kufi pa asnjërin nga prindërit. Amerika Qendrore kohët e fundit është goditur nga uraganet dhe ekonomia në rënie  si pasojë e pandemisë Covid-19, e cila ka nxitur më shumë migrim.

Klan News