7.2 mld lekë parashikohet dëmi për 2022

8.9 miliardë lekë parashikohet të jetë dëmi që do i shkaktojë buxhetit të OSHEE-së kriza globale energjetike. Parashikimet janë bërë nga vetë OSHEE dhe janë paraqitur në relacionin e projektbuxhetit për vitin 2022. Sipas OSHE-së Rritja e paparashikuar e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë ka ndryshuar tërësisht perspektivat e zhvillimit të aktivitetit të shoqërisë duke e bërë të padobishëm çdo parashikim të mëparshëm.

Ndaj mosplotësimi i planit të furnizimit me energji elektrike si pasojë e motit të thatë do të detyrojë OSHEE të plotësojë këtë mungesë me blerje në tregun e lirë, që do të ndikojë në ulje të performancës financiare dhe mungesë likuiditeti të kompanisë.

Si pasojë, nga ana e OSHEE Group parashikohet një humbje financiare prej rreth 8.9 miliard lekë për vitin 2021 dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme edhe viti 2022 do të shënojë një humbje financiare prej rreth 7.2 miliard lekë.

Detyrimet e shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve ndaj OSHEE Group sh.a vazhdojnë të mbeten një tjetër shqetësim për operatorin e shpërndarjes së energjisë dhe kjo për shkak të vlerës së madhe të akumuluar ndër vite. Në relacionin që shoqëron projektbuxhetin raportohet se detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rezultojnë të jenë në vlerën 20.37 miliardë lekë, nga të cilat 11.05 miliard lekë janë detyrime të faturuara ndaj kompanisë dhe 9.32 miliard lekë janë detyrime për kamatëvonesa. Nga totali i detyrimeve të raportuara, vetëm ndërmarrja e UK sh.a Durrës ka 6.43 miliard lekë detyrime të akumuluara në vite.

Tv Klan