Kriza energjetike e la pa ngrohje Prishtinën. Kompania Termkos tha se nuk është furnizuar me avull. I gjendur në presionin e opinionit publik, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka fajësuar qeveritë e kaluara për krizën e tanishme energjetike. Ai tha në një konferencë se ka qenë më me leverdi që të vidhej në KEK- se sa të investohej në riparime. Ai shtoi se për dy dekada nuk ka pasur riparime të qëndrueshme në termocentralet e Kosovës.

“Ishte më me leverdi që të vidhej nga KEK-u sesa të investohej në këtë. Por ne jemi në krye të detyrës, shtetin e kemi gjetur përtokë në të gjitha drejtimet por së bashku do ta ngrisim në këmbë. Këtë situatë të trashëguar duhet ta përmirësojmë, por ata që na sollën në këtë ditë të na kursejnë nga leksionet e le të skuqen nga gjendja në të cilën na lanë shtetin”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se si rezultat, kapaciteti gjenerues nga termocentralet është i pamjaftueshëm për të mbuluar kërkesat në kohën e pikut dhe se Kosova po varet nga importet.

“Në momentin që po flasim kemi energji elektrike rreth 390 megavat prej blloqeve të Kosovës A… Duke ndjekur shembullin e shteteve europiane, qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve dhe do të bëmë maksimumin që të ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike… Çmimet e tilla mund të vazhdojnë për një periudhë të pacaktuar, por është e rëndësishme që tash të kursejmë energji elektrike maksimalisht. Qeveria që unë e udhëheq do të trajtojë të gjitha problemet në fushën e energjisë brenda këtij mandati. Strategjia të cilën pres ta prezantoj para jush brenda gjysmës së vitit të parë 2022 është vetëm hapi i parë në këtë drejtim. Unë zotohem për siguri të furnizimit me tranzicion të qëndrueshëm e me çmime të përballueshme”, tha Kurti.

Në kulmin e krizës, qeveria i kërkoi presidentes Vjosa Osmani autorizimin e Ministrisë së Financave për nënshkrimin e kredisë ndërmjet Kosovës dhe bankës gjermane KFW për projektin e zhvillimit të sektorit të energjisë për përmirësimin e rrjetit të transmetimit.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha se ka pasur takime me autoritetet në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore për të gjetur një zgjidhje rreth furnizimit me energji elektrike.

Nagip Krasniqi, drejtor në KEK, tha se të enjten pritet të kthehet në punë blloku B1 me të cilin do të kthehet edhe furnizimi me ngrohje në Termokos.

“Sa i përket prodhimit të qymyrit mund t’ju siguroj se qymyr kemi mjaftueshëm dhe sasitë aktuale janë rreth 420 mijë ton në deponi, përderisa në muaj jemi në gjendje të prodhojmë diku 800 mijë ton kështu që sa i përket qymyrit nuk presim ndonjë pengesë të të gjitha njësive që kemi në operim, duke përfshirë pesë njësi në plan. Në TC A kemi futur tri njësi në operim. Te Kosova B kemi pasur probleme të avarisë që ndikuan që këto njësi të bien nga prodhimi. Ajo që është premtuese për njësinë B1 se nesër në mëngjes të hyjë në operim dhe të kthehet dhe me këtë presim të kthehet edhe ngrohja qendrore e Termokosit”, tha ai.

Ndërsa njësia B2, ka shtuar ai, ka pasur një avari më e vështirë dhe ende nuk dihet se kur do të kthehet në funksion.

Klan News